Vendosni fjalën kyçe....

Marrëveshja Kosovë-Serbi jehonë në Shqipëri, mesazhet e politikës


Lajmi i arritjes së marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për njohjen e dokumenteve identifikuese respektive ka gjetur jehonë edhe në politikën në Shqipëri.

Presidenti Begaj shkruan se kjo marrëveshje lehtëson udhëtimin e shtetasve të Kosovës e Serbisë dhe është në interesin e të gjithë qytetarëve.

“Përshëndes marrëveshjen që lehtëson udhëtimin e shtetasve mes Kosovës dhe Serbisë , në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve. Vlerësim për dialogun që sjell rezultate dhe mirënjohje për mbështetjen e BE & SHBA.” – shkruan Begaj.

Kryeministri Rama ka uruar që zhvillimi e zgjidhja me dialog për lëvizjen e lirë mes Serbisë e Kosovës të çojë më tej dialogun për të mos humbur kohë e energji në arritjen e gjërave logjike.

“Lajm i bukur zgjidhja me dialog e çështjes së lëvizjes së lirë mes Serbisë e Kosovës, e bashkë me urimet për të dy palët uroj që ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri, për të mos humbur kohë dhe energji pafund në arritjen e gjërave kaq thjeshtësisht logjike sa kjo sot.” – ka shkruar Rama në Twitter.

Një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur e ka quajtur kreu i PD-së Berisha arritjen e marrëveshjes në fjalë.

Ai shkruan në Facebook se problemi u krijua nga pala serbe ndërsa thekson se ky hap është tejet i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërsa shton se mbi bazën e parimeve të barazisë e reciprocitetit Kosova e Serbia duhet të zgjidhin edhe problemet e tjera të mëdha mes dy vendeve.

Një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur!

Të dashur miq, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zgjidhjen e problemit të dokumentave bazuar mbi parimin e barazisë dhe reciprocitetit të kërkuar nga qeveria e Kosovës dmth njohjen respektive të dokumentave të njëra-tjetrës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Partia Demokratike ka mbështetur pa lëkundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve. Me këtë rast, Partia Demokratike, duke vlerësuar lart kontributin e të deleguarve të veçantë për dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, përshëndet arritjen e kësaj marrëveshje si një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe uron që mbi bazën e parimeve te barazisë dhe reciprocitetit, parime universale në marrëdhëniet midis vendeve, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të mëdha midis dy vendeve. Vetëm një Ballkan i vendeve sovrane dhe te barabarta do mund të jetë një rajon paqe, stabiliteti dhe integrohet i sigurte në BE dhe NATO! Sb”. – shkruan Berisha.

Kreu i Partisë së Lirisë Meta shkruan se vetëm nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE e SHBA si dhe respektimit të frymës e vlerave europiane nga dy vendet, mund të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme në themel të cilës duhet të jetë njohja reciproke.  

“I mirëpritur dhe pozitiv lajmi i dhënë sot nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell sipas të cilit “Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe. Partia e Lirisë beson se vetëm nëpërmjet vijimit të dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA, si dhe respektimit të frymës dhe vlerave europiane mes Kosovës dhe Serbisë, mund të arrihet në një zgjidhje e qëndrueshme në thelb të së cilës duhet të qëndrojë njohja reciproke midis dy shteteve.” – shkruan Meta.