Vendosni fjalën kyçe....

Pastori në Alabama arrestohet duke ujitur lulet e fqinjëve që ishin me pushime (VIDEO)


Një pastor me ngjyrë në Alabama është arrestuar nga Policia ndërsa po ujiste lulet e fqinjit të tij. Në fakt ngjarja ka ndodhur në maj të vitit 2022 kur fqinjët e tij ishin larguar nga shtëpia për pushime dhe ai kishte shkuar të kujdesej për ambientin. Por një fqinje tjetër që kishte parë makinën e Jennings të parkuar dhe s’e kishte njohur, duke e ditur se të zotët e shtëpisë janë larguar, kishte thirrur policinë.

Oficerët erdhën dhe e gjetën pastorin me zorrë uji në dorë duke ujitur lule.

Por Michael Jennings thotë se policia e arrestoi atë në mënyrë të paligjshme.

Avokatët e Jennings, i cili ka shërbyer si pastor për një kohë të gjatë në Kishën “Vizioni i Jetës së Bollshme”, kanë publikuar videon e kamerës së trupit të policisë të arrestimit të tij. Ata thonë se po ndërmarrin veprimet ligjore kundër Departamentit të Policisë së Childersburg.

“Kjo video e bën të qartë se këta oficerë vendosën se do ta arrestonin pastorin Jennings më pak se pesë minuta pasi u tërhoqën dhe më pas u përpoqën të rishkruanin historinë duke pretenduar se ai nuk e kishte identifikuar veten kur ishte gjëja e parë që ai bëri.”– tha avokati Harry Daniels sipas USA Today. “Ky nuk ishte vetëm një arrestim i paligjshëm. Është rrëmbim.”

Videoja në fjalë tregon oficerët që i afrohen Jennings, i cili po ujit lule dhe bimë jashtë një shtëpie në Childersburg. Policia e pyet se çfarë po bën, dhe ai u thotë se po ujit lulet dhe thekson se “Unë supozohet të jem këtu. Unë jam pastori Jennings. Unë jetoj matanë rrugës.”

Oficerët i thonë atij se po i përgjigjen një telefonate për një automjet të dyshimtë dhe një person të dyshimtë dhe i kërkojnë Jennings identifikimin e tij. Ai u thotë atyre se nuk ka nevojë t’u japë një dokument identifikimi pasi nuk kishte bërë asgjë të dyshimtë apo të gabuar.

Më pas fillojnë të bërtiturat dhe Jennings u thotë oficerëve: “Unë ju thashë që jam pastor. … Ju dëshironi të më mbyllni, të më mbyllni. … Më mbyllni dhe shikoni se çfarë ndodh.”

Në një moment, ai i akuzon oficerët për profilizimin racor të tij.

Pasi oficerët e prangosën Jenningsin, fqinja që thirri policinë për një person të dyshimtë u thotë oficerëve se kishte gabuar dhe se ajo e njeh Jenningsin. Kur policia e pyet nëse ai ka leje të jetë në shtëpi duke ujitur lulet, ajo thotë: “Ai mundet sepse janë miq.”