Pas ceremonisë së nderimit të kampiones së Evropës Luiza Gegës, në Kryeministri po zhvillohet një ceremoni e ngjashme edhe për boksierin Florian Marku që mbrojti titullin kampion në kategorinë ‘WBC Silver’.
Ai mori sot nga kryeministri medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama iu përgjigj kritikave të marra gjatë këtyre ditëve se po përdorte suksesin e sportistëve për imazhin e vet.
“Suksesi i Luizës krijoi një ndarje të pakuptueshme për shkak të politikës dhe për arsye të mosarsyes shumëkush nuk e la do të gëzimin pa e përzier me fjalë pa vend, sipas të cilave Luiza ishte e braktisur, madje deri në Kenia në Afrikë, sepse ka vrapuar vetëm, dhe natyrisht për fajin e madh të shtetit.
Nga ana tjetër të tjerë u përpoqën të thonë se nderimi që i bëmë Luizës ishte një përpjekje për të marrë pjesë që nuk na takonte në suksesin e saj. Asnjë nga këto nuk është e vërtetë.
Pak a shumë ndodhi edhe me ceremoninë për Florian Markun, ndërkohë që ne sot jemi për të celebruar një histori jetësore të ngjashme me të dhjetëra mijëra shqiptarëve, të cilët janë marrë përdore nga prindërit e tyre në rrugën e emigracionit dhe bëjnë sukses. Por bëjnë rëndomë një sukses që nuk bën lajm, ndërkohe që suksesi i Florianit është sukses që bën lajm dhe lajmi i mirë është se është sukses kuq e zi.
Po them që në aspektin ceremonial ne e kemi bërë dallimin, e nderuam Luizën me kordonin e madh, më i larti në shkallën e vlerësimeve. Pas kordonit vjen Ylli i Madh, që e kemi bërë për një sërë personalitetesh, dhe sot bëjmë këtë vlerësim për një ambasador të Shqipërisë, i cili prejardhjen e ka në Kosovë nga gjyshi, dhe në Myzeqe nga gjyshja.”- tha Rama.
Kryeministri theksoi se nuk ka sot më sportistë të braktisur. Madje u ndal edhe në rastin e nënkampionit të botës në peshëngritje Ilirjan Suli, duke thënë se çfarë janë thënë për të nuk janë të vërteta.
“Është Floriani që e nderon këtë godinë me praninë e tij, siç ishte Luiza. Unë dhe ne jemi të nderuar që të ndajmë disa momente. Ne do të bëjmë të njëjtën gjë për të gjithë ata që do i sjellin Shqipërisë medalje. Do më falni, po i marr leje dhe Florianit, para se t’i dorëzoj yllin e madh të mirënjohjes publike, se sot ndryshe nga çfarë u tha dhe u stërtha në momentin e triumfit të Luizës, nuk ka më në Shqipëri protagonistë të sportit të braktisur, por një sistem mbështetje miratuar me një VKM, kohë më parë. Vitin e shkuar e kanë përfituar shpërblimin e parashikuar nga VKM për rezultate të spikatura, 14 protagonistë. Në vitin ku jemi deri tani e kanë përfituar 44. Sot nuk ka vetëm shpërblime për kampionët ndërkombëtar të Shqipërisë, por dhe për shqiptarët e Kosovës, e për këtë arsye kemi në Ministrinë e Mbrojtjes dy kampionet Olimpike të Kosovës.
Ndërkohë që për të ardhur keq realisht, teksa celebronim Luizën, shumëkush derdhte vrerin e një mllefi të verbër duke na treguar se si është braktisur një nënkampion i dikurshëm i peshëngritjes Ilir Suli. Por Ilir Suli është një nga sportistët e mbështetur. Prej kohësh është një ndër sportistët e punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes. Një video e një kohe të mëparshme sikur Ilir Suli është braktisur vazhdon e riciklohet sot sikur është sot. Teksa rrisim mundësitë, rrisim dhe progresin. Jemi në vazhdimësi të hapur. Sot kemi një ligj në fazën e diskutimit. Një ligj që do të shkojë në Parlament në shtator, që është ligji i propozuar nga Ministri i Mbrojtjes për t’iu dhënë grada sportivë si Luiza Gega, apo Calja.
Grada do të thotë se deri në fund të jetës tyre aktive, deri në dalje në pension, këta të katërt do të jenë kolonelë. Në ministrinë mbrojtjes do të punojnë në një strukturë speciale mentorësh të ushtarëve dhe oficerëve tanë, për t’i ushqyer atyre shpirtin e kampionit. Kur flitet për sport, jemi në borxh me vendin, me rininë, pasi shumë vite kaluan dhe një gropë e madhe u hap në këtë drejtim. Kur flitet për sportin është mirë që askush nga ata të cilët jo nuk vunë një gozhdë, por e panë gropën të hapej dhe kontribuuan që kjo gropë të thellohej dhe s’kanë gojë të flasin. Ne do t’i japim një shtysë të re lëvizjes sportive duke angazhuar mbi 650 skuadra volejbolli, basketbolli, në sistemin tonë shkollor. Kampionë si Floriani janë të mirëseardhur të kontribuojmë ata që janë më të rinj, mund të ndërtojnë me mbështetjen tonë akademinë e boksit, kampionë si Luiza mund të hapin rrugën për të sjellë të tjerë pas vetes.”- tha Rama.