Pamjet tronditëse të kamerave tregojnë çastin dramatik kur një zyrtar, i cili tradhëtoi Ukrainën dhe u rreshtua me Rusinë, ekzekutohet nga forcat ukrainase të rezistencës.
Askyar Laishev ka punuar për shërbimin e sigurisë së brendshme të Ukrainës (SBU) përpara se të bashkohej me Republikën Popullore të Luhanskut të mbështetur nga Moska si kreu i inteligjencës në vitin 2014.
Por anëtarët e Rezistencës Kombëtare të Ukrainës në Donbasin e shkatërruar nga lufta, në Ukrainën lindore u hakmorën duke bombarduar makinën e tij teksa po kalonte nëpër qytet më 11 gusht.
Laishev doli nga makina pas shpërthimit, thanë luftëtarët e rezistencës, por vdiq ditë më vonë në spital.
Kjo pason vrasjen e ngjashme të zyrtarit të Putinit, Ivan Sushko në Zaporizhzhia këtë javë.
Rezistenca Kombëtare deklaroi: “Theksojmë edhe një herë se kolaboracionizmi është i dëmshëm për shëndetin tuaj, ndaj çdo tradhtar ka shpresa të kota se nuk do t’i vijë hakmarrja.”
Videoja e sapopublikuar e marrë nga kamerat CCTV tregon se makina e Laishev shpërthen në rrugën Shevchenko, në Luhanskun e kontrolluar nga Rusia, e cila ra nën kontrollin rus në fillim të korrikut.
Shpërthimi i madh pasohet nga flakët e tymi që pushtojnë zonën. Fotot e marra pas bombardimeve tregojnë njolla të zeza dhe shenja rrëshqitjeje në rrugë.
Pamjet janë shpërndarë gjerësisht në kanalet e Telegramit ukrainas pasi u publikuan dje.
Videoja e komplotit të guximshëm të atentatit erdhi ndërsa Putini planifikoi të tërhiqte të gjithë flotën e tij të avionëve luftarakë nga Krimea pas një morie goditjesh ukrainase në avionë.
Një dokument sekret i datës 22 gusht raportoi se Rusia ka lëvizur tashmë dhjetë nga avionët e saj më të aftë luftarakë – gjashtë Su-35S dhe katër avionë MiG-31BM – nga territori.
Ukraina nuk ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmet, por burime të shumta, duke përfshirë disa zyrtarë ukrainas, kanë sugjeruar se forcat e tyre speciale ka të ngjarë të kenë qenë pas shpërthimeve.