Katër punonjës të Bashkisë së Pogradecit janë arrestuar nga policia pasi akuzohen se kanë vjedhur ndihmat e dhuruara për qytetarët.
Të ndaluarit janë 58-vjeçari Reshit Fraholli, 58-vjeçari Raif Muçka, 35-vjeçari Bektash Xhudellari dhe 35-vjeçari Marsel Muçllari.
Sipas policisë, katër personat me detyrë punonjës pranë bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në mjediset e pallatit të sportit, në qytetin e Pogradecit, vodhën disa pako me ndihma, të dhuruara nga donatorë të huaj, për komunitetin e kësaj bashkie.
Mësohet se njëri prej tyre, Reshit Fraholli ka qenë kandidat për kryetar në Komunën Cerravë si dhe ka punuar tek Ujësjellës Kanalizime në Pogradec.
Në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Pakoja e fundit’, u sekuestruan pakot e vjedhura dhe automjeti tip ‘Audi’, me të cilin do transportoheshin.
Operacioni u zhvillua nga një video e publikuar mbrëmjen e djeshme në rrjetet sociale, në të cilën shfaqeshin punonjës të bashkisë Pogradec që vidhnin pako me ndihma të dhuruara nga donatorë të huaj për komunitetin e Pogradecit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale ‘Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën’, kryer në bashkëpunim, thuhet në njoftimin e policisë.