Vendosni fjalën kyçe....

Assange apelon ekstradimin në SHBA


Ekipi ligjor i Julian Assange paraqiti një apel për të ndaluar ekstradimin e bashkëthemeluesit të WikiLeaks në SHBA, ku ai përballet me akuza për spiunazh që mbartin një dënim me burg deri në 175 vjet.

Sipas WikiLeaks, avokatët e Assange depozituan ‘baza të përsosura për Apelin’ përpara Gjykatës së Lartë të Drejtësisë në Britani kundër qeverisë së SHBA dhe Sekretares së Brendshme të Britanisë Priti Patel, e cila miratoi ekstradimin e redaktorit të lindur në Australi në mes të qershorit.

Apeli argumenton se ‘Julian Assange po ndiqet penalisht dhe dënohet për mendimet e tij politike’, ndërsa qeveria e SHBA-së ‘keqinterpretoi faktet thelbësore’ të çështjes në gjyqësorin e Briatnisë. Ai shton se kërkesa për ekstradimin e bashkëthemeluesit të WikiLeaks shkel traktatin përkatës midis SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, si dhe ligjin ndërkombëtar.

Dokumenti thuhet gjithashtu se përmban disa prova të reja që janë përpiluar që kur gjykata e Mbretërisë së Bashkuar vendosi për ekstradimin e Assange në fillim të vitit 2021.

Gruaja e redaktorit, Stella Assange, tha: “Dëshmi dërrmuese janë shfaqur që vërtetojnë se ndjekja penale amerikane kundër burrit tim është një abuzim kriminal”, duke shtuar se Gjykata e Lartë tani do vendosë nëse burrit të saj i jepet mundësia për të ngritur çështjen e tij kundër SHBA-së.

Në fillim të qershorit, Wall Street Journal raportoi se avokatët e Assange kishin bërë dy ankesa për të luftuar ekstradimin e tij në SHBA, vetëm një ditë para përfundimit të afatit për veprimin ligjor. Hollësitë e sakta të apelit, megjithatë ishin të paqarta.

Assange ka qenë efektivisht në izolim që nga viti 2012, kur ai kërkoi azil në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, duke kërkuar të shmangte ekstradimin në Suedi, ku u përball me akuza për sulm seksual, të cilat që atëherë kanë rënë poshtë. Ekuadori ia hoqi statusin e azilit Assange në vitin 2019 dhe policia britanike e transferoi atë nga ambasada në burgun Belmarsh të sigurisë maksimale, ku ai ka qëndruar që atëherë.

Një gjykatë britanike fillimisht kundërshtoi të dorëzonte Assange në SHBA, duke përmendur frikën se ai do t’i nënshtrohej një trajtimi çnjerëzor. Më vonë, Uashingtoni arriti të bindë gjyqtarët britanikë se të drejtat e gazetarit do respektoheshin. Si rezultat, Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar Priti Patel vulosi ekstradimin e bashkëthemeluesit të WikiLeaks në SHBA në mes të qershorit.

Assange ka qenë një objektiv i SHBA-së që nga viti 2010, kur WikiLeaks publikoi një grumbull dokumentesh të klasifikuara që përshkruanin krimet e supozuara të luftës të kryera nga forcat amerikane gjatë luftërave në Irak dhe Afganistan.

Që atëherë ai është akuzuar për komplot se ka hakeruar kompjuterët e Pentagonit dhe është akuzuar sipas Aktit të Spiunazhit të vitit 1917 të Amerikës për publikimin e materialeve sekrete.