Vendosni fjalën kyçe....

Fordi i Princeshës Diana shitet për 650 mijë paund në ankand


Një makinë e përdorur nga e ndjera Lady Diana, Princesha e Uellsit është shitur për 650 mijë paund në ankand.

Princesha Diana, e cila është ndarë nga jeta gati 25 vjet më parë, ka ngarë një Ford Escort RS Turbo të zezë për gati tre vjet nga gushti 1985. Ajo u fotografua me makinën jashtë dyqaneve në Chelsea dhe në Kensington.

Makina siç shkruan BBC, u shit përfundimisht nga Silverstone Auctions në Warwickshire tek një blerës në Cheshire.

Sipas shtëpisë së ankandeve kjo ishte “makina e ditës“. Drejtuesi i ankandit Jonathan Humbert tha se kishte pasur interes të madh për automjetin, i cili kishte marrë numrin më të madh të ofertave telefonike të firmës në 12 vjet.

Oferta filloi me 100 mijë paund dhe shpejt u bë një garë midis blerësve shpresëdhënës në Dubai dhe Cheshire. Por blerësi me bazë në Mbretërinë e Bashkuar fitoi përfundimisht.

Princesha Diana preferonte ta ngiste vetë makinën e saj dhe një anëtar i Komandës së Mbrojtjes së Familjes Mbretërore ulej në sediljen e pasagjerit.

Makina e shitur të shtunën besohet të jetë unike si e para dhe e vetmja RS Turbo Series 1 e zezë. Në qershor 2021, një tjetër Ford Escort i përdorur nga Princesha Diana u shit në ankand për 52 mijë paund.