Vendosni fjalën kyçe....

Hiqej si pjesëtare e familjes Rothschild, FBI po heton ukrainasen e infiltruar në rezidencën e Donald Trumpit


FBI-ja ka nisur hetimet ndaj një gruaje ukrainase, e cila pretendonte se ishte pjesë e familjes bankare Rothschild dhe shpesh merrte pjesë në takimet e festat e ish-presidentit Donald Trump në rezidencën e tij Mar-a-Lago.

Sipas një investigimi të përbashkët të realizuar nga Pittsburgh Post-Gazette dhe Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), 33-vjeçarja Inna Yashchyshyn është me origjinë nga Ukraina, por ajo përdorte emrin e Anna de Rothschild në biznes dhe shpesh përzihej me të ftuarit e profilit të lartë të Trumpit.

Si zyra e FBI-së në Miami dhe një forcë policore kanadeze thuhet se po hetojnë marrëdhëniet e biznesit të Yashchyshyn.

Në disa raste, në vitin 2021 por edhe gjatë 2022-shit, ukrainsja u bë pjesë e organizimeve me senatorë si Lindsey Graham, Kimberley Guilfoyle, ish-guvernatori i Misurit Eric Greitens dhe donatori i Trumpit Richard Kofoed. Ajo gjithashtu u fotografua me Trumpin në fushën e tij të golfit.

Ky raport vjen në një kohë kur FBI bastisi rezidencën e ish-presidentit në Mar-a-Lago më 8 gusht.

Siç shkruan Bussiness Insider, Yashchyshyn është shtetasja e dytë jo amerikane, e cila dyshohet se ka qenë e infiltruar në Mar-a-Lago. Në vitin 2021, Yujing Zhang me origjinë kineze u dënua për shkelje, pasi në vitin 2019 kishte arritur të futej në rezidencë si e infiltruar.

Ekspertët e sigurisë kanë ngritur prej kohësh shqetësime në lidhje me potencialin për të depërtuar në resortin e ish-presidentit, që ai e përdorte si një klub privat dhe një vend për biznes.