Vendosni fjalën kyçe....

Ish-presidenti rus përmend katër rastet kur mund të përdoren armët bërthamore


Moska do i përdorë armët bërthamore vetëm në katër skenarë, të cilët të gjithë paraqesin një kërcënim ekzistencial për shtetin rus, tha ish-presidenti Dmitry Medvedev për mediat franceze të premten.

Duke folur për kanalin televiziv LCI, Medvedev u pyet nëse doktrina ushtarake e Rusisë lejon përdorimin e armëve taktike bërthamore. Ish-presidenti u përgjigj se qëndrimi bërthamor i Moskës është bërë publik dhe nuk ka asgjë sekrete për këtë.

“Ka katër arsye për përdorimin e armëve bërthamore. Për hir të interesit dhe për publikun francez, unë do t’i emërtoj ato: lëshimi i raketave bërthamore, përdorimi i armëve bërthamore, sulmet në infrastrukturën kritike që kontrollon armët bërthamore ose veprime të tjera që kërcënojnë ekzistencën e shtetit rus.” – tha ai, duke shtuar se asnjë nga sa më sipër nuk ka ndodhur deri më tani.

Duke komentuar përdorimin e mundshëm të armëve atomike taktike, ose armëve që përmbajnë uranium të varfëruar, ish-presidenti vuri në dukje se Rusia nuk i ka vënë kurrë ato në veprim, ndryshe nga disa vende perëndimore.

“Gjatë 20-30 viteve të fundit, shtetet e NATO-s i kanë përdorur në mënyrë mjaft aktive si në Jugosllavi ashtu edhe në Irak. Rreth kësaj teme ka njëfarë paqartësie, me pasoja shumë tragjike. Pra, në këtë kuptim, së pari duhet të shohim se çfarë kanë bërë vendet perëndimore në situata të caktuara.” – tha Medvedev.

Ish-presidenti theksoi se përgjigja e Rusisë ‘do jetë në përputhje me madhësinë e kërcënimeve me të cilat përballet’ dhe se ofensiva ushtarake e Moskës në Ukrainë, e cila filloi në fund të shkurtit, është një masë mbrojtëse.

Sipas Medvedev, një nga arsyet e sulmit ishte një deklaratë e presidentit ukrainas Vladimir Zelensky, i cili tha në një moment se Kievi nuk përjashton rikthimin e potencialit të tij bërthamor.

“Me sa duket, ai donte të na trembte, por në fund ai krijoi një atmosferë edhe më të rëndë, e cila në fund e detyroi Federatën Ruse të nisë një operacion special ushtarak.” – tha ai.

Javën e kaluar, Ivan Nechaev, zëvendës Sekretari i shtypit i Ministrisë së Jashtme ruse, deklaroi se Moska nuk ka nevojë të përdorë një opsion bërthamor në Ukrainë dhe se Rusia është një fuqi bërthamore e përgjegjshme, e cila do teë përdorë arsenalin e saj atomik vetëm nëse ekzistenca e saj është vërtetë nën kërcënim.