Mjeshtri i madh i veglave muzikore, Vendim Kapaj, nga skenat botërore ka përfunduar në shërbimin e pastrimit të qytetit të Vlorës.
Ndonëse është i vetmi në Ballkan që mund t’i bjerë fyellit me dhëmbë, me një karrierë 50-vjeçare, këtë të diel nuk e gjen duke luajtur muzikë por në kantierin e mbeturinave duke pastruar plehrat e qytetit.
Ai ka treguar në një intervistë për “Euronews Albania”, se bashkia Vlorë e ka punësuar në shërbimet e qytetit dhe për të kaq mjafton. Fakti që është në punë.
“E ndjej veten të ofenduar që t’u vete të tjerëve nga mbrapa e t’u them aman më çoni në filan vend. Them thjesht kërkoj punë. Prapë unë nuk e neglizhoj, ka rëndësi që jam në punë edhe ushqehem. Mbaroj punën shtetërore që na takon, pastaj në pasdite bëjmë prova, bëjmë kompozime të reja.”- tha 64-vjeçari.
Ai madje shton se ndihet krenar që kontribuon për pastërtinë e vendit: “E kam për nder që edhe e nderoj qytetin tim dhe vendin tim nëpër skenat kombëtare, ndërkombëtare por jam edhe krenar që jam krenar që qytetai të jetë I pastër. Lodhem por edhe kënaqem kur shikoj lagje të pastra.”
Megjithatë ka pranuar se edhe në kohën e komunizmit e ka ndjerë veten më të vlerësuar.
“Po flas me sarkazmë. Fare asnjë lloj mbështetje. Kemi shkuar jashtë shtetit, është kënduar himbni shqiptar dhe fare. Në kohën e komunizmit kemi qenë më të privilegjuar. Te jemi realistë. Kurse tani s’do t’ja dijë njeri fare.”– shtoi ai.
Ai shprehu një merak për ata që po ndiqnin intervistën e tij, që mos ta trajtonin politikisht atë.
“Po i bëj thirrje gjithë publikut tim të dashur, që ka 50 vjet që duartroket për mua. Ju lutem mos e politizoni këtë gjë, unë jam fisnik sepse mbaj qytetin pastër.” – tha ai.