Dyqanet dhe qendrat tregtare në të gjithë Gjermaninë kanë filluar të fikin shkallët lëvizëse ose të kufizojnë përdorimin e tyre, në përpjekjen e fundit për të kursyer energji. Kështu raportoi të shtunën tabloidi gjerman Bild.
Shkallët lëvizëse janë jashtë shërbimit në disa dyqane në zinxhirin gjerman të elektronikës Saturn dhe gjigantët e dyqaneve si Karstadt dhe Galeria Kaufhof. Në qendrat tregtare ECE, pajisjet fiken në mëngjes dhe në mbrëmje. Gjigandi i mobiljeve IKEA thuhet gjithashtu se po shqyrton një lëvizje të ngjashme.
“Kemi filluar të kursejmë energji në ndriçim dhe shkallë lëvizëse. Ne e bëjmë këtë sa më shumë që të jetë e mundur duke u përpjekur të mos prekim klientët tanë.”– tha për mediat kreu i grupit të shitjeve Galeria-Kaufhof, Miguel Müllenbach.
Më 25 gusht, Berlini zbuloi një sërë masash për të reduktuar konsumin e gazit natyror gjatë sezonit të ardhshëm të ngrohjes. Masat përfshijnë uljen e temperaturës së ngrohjes në zyra dhe ndërtesa publike, me përjashtim të institucioneve sociale si spitalet – nga 20 në 19 gradë Celsius.
Gjithashtu, reklamimi i jashtëm dhe ndriçimi i dritareve dhe monumenteve do të fiket nga ora 22:00 deri në orën 6 të mëngjesit. Përveç kësaj, pronarëve të dyqaneve do t’u kërkohet të përmbahen nga mbajtja e dyerve të hapura shumë gjatë, për të ruajtur nxehtësinë.
Gjermania ka qenë duke luftuar me problemin e furnizimit me gaz natyror përmes gazsjellësit Nord Stream 1. Që nga mesi i qershorit, rruga kryesore është përdorur vetëm me 40% kapacitet, duke furnizuar me rreth 67 milionë metra kub në ditë. Rënia shpjegohet me kthimin e vonuar të turbinave me gaz pas mirëmbajtjes së planifikuar në Kanada, si rezultat i sanksioneve të Otavës kundër Rusisë.