Vendosni fjalën kyçe....

Inspektorët e IAEA-s nisen drejt termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias në Ukrainë


Inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) pritet të shkojnë në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainën juglindore këtë javë mes bombardimeve të reja në objektin e kontrolluar nga Rusia dhe frikës në rritje për një aksident të mundshëm bërthamor.

Misioni i udhëhequr nga Drejtori i Përgjithshëm z. Rafael Mariano Grossi do të vlerësojë dëmet në objektet e uzinës, do të vlerësojë kushtet e punës së stafit dhe do të kryejë aktivitete urgjente mbrojtëse.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë tërheqjen e Rusisë nga termocentrali në mënyrë që të garantohet siguria bërthamore.

Kremlini nga ana tjetër e mirëpriti lajmin e vizitës, duke thënë se misioni i IAEA do të hyjë në centralin bërthamor të Zaporizhzhia nga pala ukrainase, por Rusia do të garantojë sigurinë e saj në territorin e pushtuar nga ushtria ruse.

Sipas CNN, kjo vjen në një kohë kur forcat e Ukrainës po përgatisin fushën e betejës për një kundërofensivë të rëndësishme. Dy zyrtarë amerikanë emri i të cilëve nuk bëhet i ditur nga CNN, thonë se SHBA beson se kundërofensiva e shumëpritur do të përfshijë një kombinim të operacioneve ajrore dhe tokësore.