Anija më e madhe e Britanisë dhe e dyta nga dy aeroplanmbajtëset e Marinës Mbretërore, HMS Prince of Wales, është prishur menjëherë pasi ka nisur një provë të aviacionit ndëratlantik.
Aeroplanmbajtësja ‘mbetet në zonën e stërvitjes në Bregun Jugor ndërsa po kryhen hetime për një çështje mekanike në zhvillim’, tha zëdhënësi i Marinës Mbretërore në një deklaratë për mediat të dielën.
Incidenti ndodhi vetëm një ditë pasi anija u largua nga Portsmouth në atë që Marina Mbretërore e përshkroi si ‘një mision historik për të formësuar të ardhmen e operacioneve të avionëve të pakapshëm nga radari dhe dronëve’.
UK Defense Journal citoi një burim të thoshte se zhytësit zbuluan se boshti i helikës së anijes dukej se ishte dëmtuar.
Sipas Sky News, ‘Princi i Uellsit’ tani është i ankoruar në juglindje të ishullit Wight në Angli.
Anija, e cila u bë plotësisht funksionale vitin e kaluar, ishte gati të vizitonte Nju Jorkun, Halifax-in në Kanada dhe Karaibet, gjatë një udhëtimi tre mujor përtej Atlantikut për provat që përfshinin avionët luftarakë F-35B, sipas Marinës Mbretërore.