Vendosni fjalën kyçe....

Austria kritikon strategjinë e BE-së për energjinë: Të ndalet çmenduria e çmimeve në tregje


Kancelari austriak Karl Nehammer bëri thirrje të dielën që BE-ja të vendosë një kufi mbi çmimet e energjisë dhe të shkëpusë tarifat e energjisë elektrike nga çmimi i gazit. Udhëheqësi austriak tha se dështimi për ta bërë këtë do e lejonte presidentin rus Putin ‘të përcaktojë çmimin evropian të energjisë elektrike’.

“Duhet të ndalojmë përfundimisht çmendurinë që po ndodh në tregjet e energjisë. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm përmes një zgjidhjeje evropiane.” – thuhet në një deklaratë nga zyra e Nehammer.

“Diçka duhet të ndodhë më në fund. Ky treg nuk do të rregullohet në formën e tij të tanishme. I bëj thirrje të gjitha 27 vendeve të BE-së që të qëndrojnë së bashku për të ndaluar menjëherë këtë shpërthim çmimi.”

BE mbështetet tek Rusia për të furnizuar rreth 40% të gazit të saj dhe përpjekjet e udhëhequra nga qeveria për të grumbulluar këtë burim të çmuar në përgatitje për dimër dhe një ndërprerje e mundshme e furnizimit i kanë detyruar kompanitë të blejnë, në vend që të shesin, dhe kanë rritur çmimet.

Çmimet e energjisë elektrike në të gjithë Evropën janë të lidhura me çmimin e gazit, i cili tani kushton rreth dhjetë herë më shumë se sa vitin e kaluar. Megjithatë, ndërsa disa vende të BE-së janë shumë të varura nga gazi rus për ngrohje dhe industri, ato përdorin lëndë djegëse alternative për të prodhuar energji elektrike.

Austria, për shembull, prodhon më shumë se tre të katërtat e energjisë elektrike të saj nga burimet e rinovueshme, sipas shifrave të vitit 2020 nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

Nehammer argumentoi se shkëputja e çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit do çonte në një faturë më të drejtë për konsumatorët që pasqyron më saktë kostot e prodhimit të energjisë elektrike.

“Ne nuk mund ta lejojmë Putinin të përcaktojë çdo ditë çmimin evropian të energjisë elektrike.” – shtoi ai, duke iu referuar kontrollit të Rusisë për pjesën më të madhe të furnizimit me gaz të Evropës.

Republika Çeke, e cila mban presidencën e rradhës të BE-së, njoftoi të premten se do thërrasë një samit të krizës energjetike ‘në datën më të hershme të mundshme’, gjatë së cilës do diskutohen kufijtë e çmimeve.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani