Gjibraltari zyrtarisht mund ta quajë veten një qytet, 180 vjet pasi iu dha ky status për herë të parë nga Mbretëresha Victoria.
Territori britanik përtej detit kishte kërkuar për t’u bërë qytet në fillim të këtij viti, si pjesë e jubileut Platinum të Mbretëreshës.
Por siç shkruan BBC, kur studiuesit shikuan Arkivat Kombëtare, zbuluan se ai ishte njohur tashmë si i tillë në vitin 1842.
Tani Gjibraltari e ka rikonfirmuar statusin e tij, gjë që kryeministri në largim Boris Johnson e përshkroi si një “vlerësim të madh” duke festuar “historinë dhe dinamizmin e tij të pasur”.
Gjibraltari ka qenë një territor britanik përtej detit që nga viti 1713, kur iu dorëzua Britanisë sipas një traktati paqeje të nënshkruar pas Luftës së Trashëgimisë Spanjolle.
Si pjesë e një konkursi jubilar, 39 vende aplikuan për t’u bërë qytete dhe tetë prej tyre, iu dha përfundimisht ky status.
Statusi i qytetit shpesh shoqërohet me të pasurit një katedrale, universitet ose popullsi të madhe, por nuk ka rregulla të caktuara për dhënien e tij – jepet nga monarku me këshillën e ministrave.
Ai sjell pak përfitime materiale, megjithëse shpesh mund t’u japë një shtysë komuniteteve duke i vendosur ato në hartë dhe zakonisht është një burim krenarie për banorët.
Qeveria tha se Gjibraltari ishte hequr nga listat zyrtare pasi iu dha titulli fillimisht nga Mbretëresha Victoria, por nuk është e qartë se si ndodhi kjo.
Tani është publikuar një rekord i përditësuar i 81 vendeve të emërtuara si qytete.
Gjibraltari është një nga vetëm pesë qytetet që janë njohur jashtë Mbretërisë së Bashkuar. Hamilton në Bermuda, Jamestoën në Saint Helena dhe Douglas në Isle of Man ishin tashmë në listë, ndërsa Stanley në Ishujt Falklands ishte në mesin e atyre që u emëruan për jubileun këtë vit.