Vendosni fjalën kyçe....

INFO-ANALIZË – Pse Fondacioni Soros po godet “Ballkanin e Hapur” dhe Edi Ramën?


Një “rrufe në qiell të hapur” mund të cilësohet publikimi i sotshëm i rrjetit BIRN në Beograd, ku një ndër zërat më përfaqësues të Fondacionit Soros, Fron Nahzi, ka goditur fort idenë dhe planin e “Ballkanit të Hapur” dhe në veçanti kryeministrin shqiptar Edi Rama. (lexoje këtu shkrimin e Fron Nahzit).

Ndërsa Fondacioni Soros ka qenë prej afro një dekade promotori, sponsorizuesi dhe mbështetësi më i fuqishëm i “Ballkanit të Hapur”, ky ndryshim kursi ka gjasa të jetë tregues i një tjetër dinamike, që më shumë se një goditje ndaj Ramës, përfaqëson sikletin e vet Fondacionit me projektin e vet për “Ballkanin e Hapur”.

Ka tre element që bien veçanërisht në sy në shkrimin e një sorosiani të ditëve të para si Fron Nahzi.

a) Konkluzioni i tij se Ballkani i Hapur është një projekt që çon ujë në avantazh të Rusisë dhe Serbisë.

b) Anashkalimi arbitrar që Fron Nahzi i bën rolit dhe protagonizmit të Fondacionit Soros për 10 vite me radhë për të realizuar “Ballkanin e Hapur”.

c) Gjuha dhe etiketimet e vrazhda të Fron Nahzit ndaj Edi Ramës, duke e etiketuar atë njësoj siç bëjnë kundërshtarët më të egër politikë të Ramës, me epitetin “shërbëtori i Vuçiçit”.

Në këto kushte dhe situatë të re, vlen të bëhen disa pyetje:

1. Pse ndodh pikërisht tani ky distancim i njerëzve të Fondacionit nga projekti “Ballkani i Hapur”?

2. Pse Rama paraqitet si një shërbëtor i Vuçiçit, Erdoganit madje dhe si një zgjatim i Putinit, kur në fakt ai gjithë kohës ka qenë një operator i projektit të Fondacionit Soros dhe gjithë marrëdhënien që ka ndërtuar me Vuçiç dhe Erdoganin e ka të bazuar në orientimet dhe planin e këtij Fondacioni?

Këto pyetje sugjerojnë se Fondacioni Soros mund të jetë duke u përballur me dështimin e projektit të vet për “Ballkanin e Hapur”. Situata e re dhe ashpërsimi i luftës mes kampeve pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë, ka dhënë efektet e veta dhe në Ballkan.  

Departamenti i Shtetit duket se për 10 vite ka operuar nën garancitë e planit të Fondacionit Soros, ndërsa këta të fundit kanë dhënë garanci se do ta shkëpusnin Vuçiçin nga ndikimi putinist dhe do e angazhonin atë si një aleat të perëndimit.

Mirëpo situate e re e krijuar ka zbuluar se Vuçiç nuk është aspak një aleat i perëndimit dhe siç vet shkrimi i Fron Nahzit pretendon me të drejtë, Vuçiç i ka përdorur të gjithë duke mbajtur të pashkëputur linjën e bashkëpunimit strategjik me Putinin në të gjitha nivelet e lojës gjeopolitike.

Sa më sipër, ky shkrim i pazakontë i Fron Nahzit, duket si një sinjal i fortë se në Fondacion ka nisur gjuetia e shtrigave, ka nisur loja e re, që konsiston në faktin se kush do e paguajë faturën e këtij dështimi kolosal në horizont të projektit për “Ballkanin e Hapur”.

Goditja dhe rrufeja e sotshme e Fron Nahzit i drejtohet Edi Ramës,  por gjasat janë që kjo lojë të mos jetë aq e thjeshtë sa duket.

Sepse për hir të këtij plani për “Ballkanin e Hapur” që iu besua Fondacionit Soros nga ana e Departamentit të Shtetit, u godit në mënyrë brutale Sali Berisha nëpërmjet mekanizmit “Non Grata”, u shigjetua dhe u rrethua Ilir Meta në Tiranë me qëllim që të ishin përherë të izoluar dhe të pafuqishëm për të prishur ndonjë punë në kuadër të zbatimit të projektit për “Ballkanin e Hapur”.

Si i tillë, protagonizmi i Fondacionit me këtë çështje është tepër arbitrar dhe nëse Departamenti i Shtetit vulos dhe ri-klasifikon  këtë projekt si “projekt kundër interesave të SHBA-ve”, asnjë ‘kokë turku’, qoftë ky dhe vetë Edi Rama, nuk do mundet dot të mbulojë përgjegjësinë akute dhe direkte të kokave të Fondacionit Soros në New York, të cilët me shumë gjasa janë dhe autorët e vërtetë të tezave që ka shkruar sot Fron Nahzi. / Hashtag.al