Vendosni fjalën kyçe....

Miqtë e blogeres ruse hapin llogari në “GoFundMe”: Duam para për të paguar avokatin, Lana s’është spiune


Miqtë e blogeres ruse Svetlana Timofeyeva të akuzuar për spiunazh në vendin tonë, kanë ndërmarrë një nismë në GoFundMe për të mbledhur para që mikesha e tyre të paguajë avokatin.

Ata kanë bërë një postim në llogarinë e saj në Instagram me emrin Lana Sator, ku thonë: “Mund të lexoni tashmë në media se Lana akuzohet për spiunazh në Shqipëri pasi tentoi të vizitonte një fabrikë ushtarake të braktisur në Gramsh. Ne po fillojmë një mbledhje fondesh për një avokat për të mbrojtur Lanën nga një dënim që nuk i përshtatet shkeljes së saj.”

Në këtë lutje publike të tyre, miqtë e blogeres kanë zgjedhur disa foto me kafshë si mace dhe qen për ta prezantuar kërkesën e tyre për ndihmë. Duke dashur t’i japin të arrestuarës në Shqipëri një imazh të një profesionisteje me zemër të mirë.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Lana Sator (@lanasator)

 

Miqtë këmbëngulin se Svetlana e njohur si Lana Sator është një eksploruese, fotografe dhe blogere e famshme urbane.

“Ajo ka qenë e pasionuar për vendet e humbura dhe monumentet e së kaluarës që kur ishte adoleshente. Me kalimin e viteve Svetlana fitoi një audiencë të madhe: më shumë se 250 mijë njerëz e ndjekin atë në Instagram dhe fotot e saj u publikuan në revista të njohura.”– thonë ata.

Miqtë shkruajnë se tre eksploruesit urbanë të akuzuar për spiunazh mund të kalojnë deri në 10 vjet burg. Prandaj u duhet të paguajnë një avokat për të vërtetuar se këto akuza nuk qëndrojnë dhe se Lana është vërtet fotografe.

“Ne kemi gjetur një avokat që është gati të mbrojë Lanën. Na duhen para për ta paguar dhe për të shpallur mbledhjen e fondeve për të shpëtuar shoqen tonë nga dënimi për spiunazh. Gjithashtu, po bashkëpunojmë me mediat dhe ndajmë informacione për Lanën për të vërtetuar se ajo është fotografe e talentuar dhe eksploruese urbane, por jo spiune. Do të ishim mirënjohës për mbështetjen, donacionet dhe ripostimet tuaja. Ne do t’ju mbajmë të informuar për rastin e Lanës.”- thuhet më tej në postim.

Në fund listohen disa linqe të faqeve të ndryshme ku mund të bëhen donacione. Në faqen e GoFundMe deri tani rezulton se janë mbledhur vetëm 423 paund.