Të gjithë ata persona të fiksuar pas rrobave dhe fanatikë të mirëmbajtjes së tyre sipas specifikimeve të etiketave (only dry clean, only wet clean etj) në këtë periudhë do të përballen me çmime të shtrenjtuara të pastrimeve kimike në Tiranë.
Sipas një vëzhgimi në terren nga “Monitor” aktualisht në shumë zona të kryeqytetit, si Kinostudio, Fresku, ish Blloku dhe Komuna e Parisit është shënuar rritje e çmimeve për pastrimin e rrobave.
Bizneset pohuan se këtë periudhë po vuajnë shtrenjtimin e lartë të detergjenteve, lëndëve specifike për pastrimin e njollave, qeseve dhe varëseve çka i ka detyruar të rrisin çmimit nga 20 deri 50% më shumë se vjet.
Vera H. zotëron 3 dyqane të pastrimit kimik në zonë e Kinostudios dhe Freskut. Ajo tha për Monitor se në këtë periudhë ka rritur çmimet deri 50% më lart se vjet për disa veshje, si këmishat, fustanet dhe xhupat me pupla për shkak të shtrenjtimit të kostove nga lëndët e pastrimit.
“Çmimi i çdo detergjenti është rritur 60 deri 70 lekë më shumë. Rritje të lartë ka shënuar edhe çmimi i solucionit për pastrimin e njollave të vajit, verës apo njollave të tjera të vështira. Më parë 23 litra solvente (solucion pastrimi për njollat) shitje 6,000 lekë ndër aktualisht shitet 1,000 lekë (rritja 66%), çmimi për 500 copë varëse kushtonte 3,300 lekë ndërsa tani ka shkuar 4,500 lekë (rritja 36%), ndërsa çmimi i qeseve nga 250 lekë kg po blihet 480 lekë kg (92% më e lartë se vjet)”.
Për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të detergjenteve dhe solucioneve pastruese, qeseve dhe varëseve çmimet e pastrimit të veshjeve në këto 3 pika kanë shënuar rritje nga 33 deri 50%. Konkretisht për klientët që sjellin çdo javë pastrim kimik këmishat, larja e tyre e 150 lekë/copë ka shkuar në 200 lekë, rritja 33%. Çmimi i larjes se fustaneve është rritur 50% nga 400 lekë ka arritur në 600 lekë dhe i xhupave me pupël 40% nga 500 lekë në 700 lekë.
Shtrenjtimin e detergjenteve dhe solucioneve pastruese në këtë periudhë po e vuajnë në tërësi të gjitha bizneset e pastrimit kimik. Hatixhe Petoshi që mbi 5 vitesh zotëron një dyqan pastrim kimik në zonë e Komunës së Parisit thotë se deri tani ka mbajtur të pandryshuar çmimet për të mos tkurrur kërkesën. Ajo shprehet se për disa veshje siç janë kostumet çmimet e pastrimit nga muaji shtator do të rriten 20% nga 500 lekë në 600 lekë.
Znj. Petoshi thotë se pavarësisht rritjes së çmimit të detergjentit nga disa subjekte rritja është abuzive, pasi për këto biznese çmimi i energjisë ka mbetur i pandryshuar, që zë peshën më të lartë në kostot e pastrimit.
Rritje të lartë të çmimeve të pastrimit kimik janë shënuar edhe në zonën e ish-Bllokut. Larja e atleteve nga 1,000 lekë kushton 2,000 lekë, rritja 100%.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al