Vendosni fjalën kyçe....

Vajza 11-vjeçare në Prishtinë dyshohet se është dhunuar nga 5 persona, njëri prej tyre i mitur



Një vajzë e mitur dyshohet se është dhunuar nga pesë persona të panjohur në Prishtinë. Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës, e cila përmes raportit 24 orësh njoftoi që janë arrestuar dy të dyshuar lidhur me këtë ngjarje.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur të shtunën ku pesë persona dyshohet se nga ora 17:30 deri në orën 00:30 kanë dhunuar një të mitur.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka marrë vendimin për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj, ndaj të miturit i cili dyshohet që së bashku me katër persona të tjerë dhunuan vajzën 11-vjeçare.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi thotë: “Ju njoftojmë se lidhur me këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj një të mituri, i cili dyshohet se është i përfshirë në këtë rast.”

Gashi ka thënë për gazetën Telegrafi se edhe ndaj personit tjetër të arrestuar për këtë rast, pritet që të merret vendimi për masën e sigurisë.

“Ju njoftojmë se lidhur me këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të rënda sot ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit edhe për një të pandehur, i cili dyshohet se është i përfshirë në këtë rast, seanca dëgjimore do të mbahet sot në ora 13:00.”- u shpreh Gashi.

Meqë rasti ka të bëjë me procedurë për të mitur, nuk mund të jepen informata të tjera lidhur me ngjarjen.