Bëri sensacion dje shkrimi i i drejtorit të parë të Fondacionit Soros në Tiranë Fron Nahzi, ku ai godiste projektin Ballkani i Hapur dhe kryeministrin Edi Rama si shërbëtor të Aleksandër Vuçiçit. Shumëkush mund të ketë pyetur dje se cilat janë qëllimet e Fron Nahzit, shtysat e tij, nëse shkrimi ishte më shumë një sipermarrje personale e tij apo një sinjal nga selia e Fondacionit Soros në Nju Jork.
Për këdo që mund të ketë pasur dilema të tilla është e rëndësishme të shqyrtohet se çfarë qëllimesh ka mbajtur Fron Nahzi në lidhje me Ballkanin e Hapur më herët.
Hashtag.al zbuloi se në janar të këtij viti Fron Nahzi ka bërë një shkrim katërcipërisht të ndryshëm sa i takon çështjes së Ballkanit të Hapur. Në këtë shkrim, Fron Nahzi e konsideron Ballkanin e Hapur si një instrument që do sjellë stabilitet në rajon dhe për ta qendisur të gjithë kuadrin e stabilitetit ai në shkrim ankohet se pse nuk po arrestohet Sali Berisha.
Po çfarë ka ndodhur nga janari deri sot.
Ka ndodhur lufta në Ukrainë. Kjo luftë dhe efektet e saj në Ballkan zbuluan se ndryshe nga sa ishte investuar Fondacioni Soros, Aleksandër Vuçiçi nuk ishte një aset perëndimor. Ai ruan të paprekur linjat e bashkëpunimit strategjik me Rusinë. Kjo e dhënë e ka vendosur Fondacionin Soros para një përgjegjësie të madhe në raport me Departamentin Amerikan të Shtetit pasi Soros doli garant për tërheqjen e Vuçiçit në bashkëpunim.
Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe oshilacioni drastik i Fron Nahzit, i cili duhet thënë se është një njeri i kulturuar, i lexuar, profesional, por të gjitha këto nuk mjaftojnë dhe nuk kanë asnjë vlerë kur ai shkruan për probleme që lidhen me Fondacionin Soros. Sepse Fron Nahzi nuk është i lirë. Ai mund të jetë një zëdhënës i tezave zyrtare ose jo të Fondacionit Soros por kurrsesi ai nuk e ka lirinë dhe mundësinë që të arsyetojë me aparatin e vet mendor jashtë kornizave që përcakton Fondacioni Soros.
Krahasimi i qëndrimit të Fron Nahzit në shkrimin e janarit, ku ai duartroket nismën Ballkani i Hapur dhe kërkon arrestimin e Sali Berishës me shkrimin e tij të gushtit, ku ai godet Ballkanin e Hapur dhe sidomos kryeministrin Edi Rama, është tregues se ai është thjesht një korrier i një mesazhi në situatën e re të krijuar pas luftës në Ukrainë.
Fron Nahzi dje ka mbjellë farën e një qëndrimi të ri të Fondacionit Soros ndaj nismës së Ballkanit të Hapur. Ai është thjesht një përhapës i mesazhit që ka dashur të japin kokat e Fondacionit në Nju Jork dhe qëndrimet e tij nuk kanë asgjë morale ose imorale. Ai është thjesht një korrier.
Oshilacionet e qëndrimit të tij na vërtetojnë dy gjëra:
a) Fron Nahzi nuk ka folur ne emër të tij, sepse nuk e ka lirinë për ta bërë këtë gjë.
b) Dikush në Nju Jork po përpiqet të veprojë për të bërë gati ‘kokat e turkut’ në rast se situata në Ballkan agravon dhe Ballkani i Hapur shuhet
Nga artikulli i djeshëm i Fron Nahzit lihej të kuptohej se koka ‘e preferuar’ e turkut do ishte Edi Rama.
Po përtej politikës dhe mesazhit të ri që Fondacioni Soros na përcolli nëpërmjet Fron Nahzit është e qartë se ky shkrim i tij më tepër se paralajmëroi ndonjë gjë për Edi Ramën, në fakt dekonspiroi dhe shpalosi panikun dhe alarmin e kokave të Fondacionit Soros në Nju Jork, të cilët janë ekspozuar para përgjegjësisë dhe dështimit të tyre kolosal me Vuçiçin. /Hashtag.al