Vendosni fjalën kyçe....

Estonia mund të bllokojë pronat e rusëve në vend


Ndalimi i vizave mund të çojë në humbjen e pronave të mijëra rusëve në Estoni, paralajmëroi zëvendëssekretari i Ministrisë së Brendshme, Veiko Kommusaar.

Talini ka ndaluar hyrjen në vend për shtetasit rusë me viza Shengen të lëshuara nga Estonia nga 18 gushti, për shkak të operacionit ushtarak të Moskës në Ukrainë.

Bankat e vendit baltik kanë ndaluar pranimin e transfertave të parave nga Rusia si pjesë e sanksioneve të mëparshme të BE-së. Kjo e ka bërë gjithnjë e më të ndërlikuar pagesën e faturave të shërbimeve për rusët që zotërojnë pasuri të paluajtshme në Estoni, por jetojnë në vendin e tyre.

Rusët që grumbullojnë borxhe mbi faturat e papaguara të shërbimeve për shkak të sanksioneve mund të humbasin përfundimisht pronën e tyre në Estoni, tha Kommusaar në një intervistë me faqen e internetit të ERR.

“Në të vërtetë, nëse bëhet e pamundur për një person të gjejë mënyra për t’u marrë me pasurinë e tij të paluajtshme, mund të vijnë pasoja ekstreme. Ne aktualisht nuk e shohim se si Estonia mund të bëjë ndonjë lëshim në këtë fushë.” – tha ai.

Rreth 12% e rusëve (4500 persona) që zotërojnë prona në Estoni janë nën kërcënim për shkak të ndalimit të vizave, sipas zëvendëssekretarit.

Të dhënat e Ministrisë së Brendshme zbulojnë se rusët zotërojnë 41,351 prona në vend. Por shumica e tyre nuk do preken nga kufizimet e hyrjes pasi kanë leje qëndrimi dhe jetojnë në Estoni.

Kommusaar tha gjithashtu se është e rrezikshme për vendin prej 1.3 milionë banorësh që një sasi kaq e madhe e pasurive të paluajtshme të përqendrohet në duart ruse.