Vendosni fjalën kyçe....

Fshihej në Shqipëri, arrestohet turku i shumëkërkuar për mashtrim me kriptomonedhat


Arrestohet 28-vjeçari i shumëkërkuar turk Faruk Fatih Özer i cili akuzohej për mashtrim me kriptomonedhat.

I riu fshihej në Shqipëri prej shumë kohësh dhe madje Turqia kërkoi vitin e kaluar ekstradimin e tij. Sipas “Balkanweb” Özer është arrestuar në një plazh në Jug të vendit, ndërsa thuhet se kishte banuar në lagjen “5 maji” në Elbasan dhe në disa qytete te tjera. Bashkë me të është arrestuar edhe një person tjetër qe e shoqëronte. 

Lidhur me arrestimin e Özer shkruajnë sot edhe mediet turke, sipas të cilave: “Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Shqipërisë, Bledar Çuçi, ka njoftuar sot në mëngjes ministrin e Punëve të Brendshme, Süleyman Soylu, se themeluesi i Thodex, i arratisuri Faruk Fatih Özer, i cili kërkohej me njoftim të kuq, u kap në Vlorë, Shqipëri dhe identiteti i tij u konfirmua nga rezultatet biometrike.”

Faruk Fatih Özer themeluesi i shkëmbimit të kriptove Thodex akuzohet se ka mashtruar dhjetëra mijëra turq, të cilët kishin investuar paratë e tyre në monedhën virtuale turke e cila shpalli falimentin. Ai u arratis në Shqipëri më 20 prill 2021 me miliona dollarë kripto para që i përkisnin 400 mijë njerëzve.