Kancelari gjerman Olaf Scholz u bëri thirrje anëtarëve të BE-së që të heqin dorë nga e drejta e vetos në favor të votimeve të shumicës në një numër fushash kyçe. Një veprim i tillë mund të lehtësojë zgjerimin e ardhshëm të bllokut.
Duke folur në Universitetin Charles në Pragë, Scholz argumentoi se ndryshimi i praktikave të votimit mund të ndihmojë në rritjen e BE-së, duke qenë se aktualisht çdo anëtar i bllokut mund të vërë veton ndaj pranimit të një vendi kandidat.
Ai sugjeroi gjithashtu futjen e votimit me shumicë për një sërë çështjesh të ngutshme, duke përfshirë sanksionet dhe të drejtat e njeriut.
“Aty ku kërkohet njëzëshmëria sot, rreziku që një vend individual të përdorë veton e tij dhe të parandalojë të gjithë të tjerët të ecin përpara rritet me çdo shtet anëtar shtesë.” – tha kancelari gjerman.
Sipas Scholz, ‘parimi i njëzëshmërisë funksionon vetëm për sa kohë që presioni për të vepruar është i ulët’, duke përmendur shembullin e sulmit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, e cila ka sfiduar mënyrën se si BE i qaset politikëbërjes.
Udhëheqësi gjerman gjithashtu dëshiron që BE të kalojë në votimin e shumicës në fusha të tilla si taksat dhe politika e jashtme, duke shtuar se ai e di ‘mirë se kjo do kishte pasoja edhe për Gjermaninë’.
Scholz vuri në dukje se Berlini mbështet zgjerimin e BE-së, duke shtuar se ai beson se vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia do t’i bashkohen përfundimisht bllokut dhe se kjo në mënyrë të pashmangshme do sjellë më shumë dallime midis anëtarëve.
Sipas rregullit të tanishëm, secili nga 27 anëtarët e BE-së mund të anulojë një vendim të mbështetur nga vendet e tjera. Kjo u jep shteteve të vogla levë të rëndësishme mbi politikat e bllokut, të cilat ndonjëherë mund të paralizojnë vendimmarrjen.