Kremlini ka kritikuar këtë të martë thirrjet e disa liderëve evropianë për ndalimin e vizave për turistët rusë, duke thënë se propozimet ishin “irracionale” dhe manifestimi i fundit i axhendës anti-ruse të Perëndimit.
Në një takim në Pragë këtë javë, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë thirrjet nga shtetet baltike dhe disa të tjerë për të ndaluar dhënien e vizave për rusët për të hyrë në zonën e lëvizjes së lirë Shengen të BE-së.
“Hap pas hapi, për fat të keq, të dy Brukseli dhe kryeqytetet individuale evropiane po demonstrojnë mungesë absolute arsyeje.”– u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, sipas Reuters.
Ai tha se veprimet e Evropës ndaj Rusisë ishin në “kufi me çmendurinë”.
“Sigurisht, vendime të tilla nuk mund të mbeten pa përgjigje.”- tha Peskov, pa sqaruar se si mund të përgjigjet Rusia.
Vendet anëtare lindore dhe nordike të BE-së kanë argumentuar fuqishëm për një ndalim të plotë të vizave turistike për rusët në përgjigje të veprimeve të Moskës në Ukrainë, duke thënë se udhëtimi në Evropë është një privilegj, jo një e drejtë.
Por Franca dhe Gjermania janë kundër propozimeve për të kufizuar vizat për rusët, duke thënë se një hap i tillë do të ishte kundërproduktiv.