Nga Enri Çeno
Përpara se të filloj – duke pasur veçanërisht parasysh sulmin e kohëve të fundit ndaj Salman Rushdie – do të doja të bëja të qartë se përdorimi i përcaktimit “fetva” në titullin e këtij artikulli nuk përbën aspak sulmin e vetëkënaqur të radhës ndaj Islamit politik. Dëshiroj thjesht të vë në pah ngjashmërinë historike midis fetva-ve islame të shpallura me shekuj me radhë, dhe “përcaktimit publik” amerikan të kohërave moderne.
Për ata që nuk e dinë ende, Sekretari i Shtetit i SHBA-së ka autoritetin të shpallë publikisht individë të huaj si përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut, korrupsion dhe terrorizëm. Këto shpallje, të quajtura “përcaktime”, përmbajnë detyrime për qytetarët dhe kompanitë e SHBA në mbarë botën, si dhe për këdo që banon ose merret me biznes në Shtetet e Bashkuara. Në opinionin tim, përcaktimi publik është një instrument i fuqishëm dhe i drejtpërdrejtë i politikës së jashtme të SHBA-së.
Le t’i kthehemi krahasimit midis përcaktimit të SHBA-së dhe fetva-s islame. Në Islam, një fetva është një vendim autoritativ i marrë nga një myfti ose një udhëheqës fetar kompetent në të drejtën islame. Fetva është një instrument i fuqishëm dhe si të gjithë instrumentet e tillë, ajo mund keqpërdoret. Arsyet pas sulmit të fundit ndaj Rushdie gjenden tek fetva e Khomeinit e vitit 1989 që urdhëronte myslimanët kudo në botë të ekzekutonin autorin e Vargjeve Satanike.
Pas shpalljes së saj, Rushdie u detyrua të kërkonte strehë në një program sigurie në Mbretërinë e Bashkuar. Libri i tij u ndalua, u hoq nga qarkullimi dhe madje u dogj publikisht në katër cepat e botës, nga Venezuela në Angli, nga Anglia në Bangladesh.
Edhe pse mbresëlënës, ky episod nuk do të thotë aspak se fetva, thjesht një ndër instrumentet e shumta të së drejtës së stërholluar islame, është diçka e tmerrshme në vetvete. Shembulli thjesht ka për qëllim të përshkruajë dhunën e ushtruar nëpërmjet keqpërdorimit të një instrumenti autoritativ të së drejtës, të krahasueshëm me jus respondendi.
Në mënyrë të ngjashme, shpata globale e përcaktimit publik të SHBA-së, edhe pse fisnike, e përdorur vend e pa vend, mund të shkaktojë po aq kaos dhe ndoshta të ndajë të njëjtin fat me fetva-n e tmerrshme që sapo përmendëm.
Duke shkelur parimet mbi të cilët është ngritur, praktika e përcaktimit publik mund të arrijë të kundërtën e qëllimit të saj.
Por, deri në çfarë mase mund të gabojnë SHBA në përcaktimin publik të zyrtarëve të huaj? Për ata që kundërshtojnë botën unipolare liberale të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, përgjigja është pa dyshim – SHBA gabojnë rëndë. Për ata që kanë një qëndrim pozitiv për lidershipin global të SHBA, përgjigja do të tingëllojë disi më pak e prerë, pak a shumë në linjën: ” OK, askush nuk është perfekt, njerëz jemi, gabime bëjmë, por përtej faktorit njerëzor, efektet e përgjithshme të këtij mekanizmi janë pozitive”.
Pyetja që shtrohet këtu është – në rast se ndodh një gabim, kush e paguan koston?
Përcaktimet publike amerikane për përfshirje në korrupsion janë një fenomen me fushëveprim botëror. Ata janë fetva e re ‘liberale’. Ky nuk është thjesht një fenomen amerikan; së fundmi Mbretëria e Bashkuar i është bashkuar klubit global të ‘vëllait të madh’, duke lëshuar përcaktime plotësuese të vetat. Po të qëndrojmë në SHBA, do të vërejmë se gjatë muajve të fundit, përdorimi i tyre ka shënuar rritje, me përcaktimin e lëshuar për ish-presidentin e Paraguait, konservatorin Cartes.
Një vit më parë, ishte radha e ish-presidentit të Shqipërisë, ish-kryeministrit dhe liderit aktual të opozitës, Sali Berisha, një tjetër konservator.
Një artikull i Reuters i dhjetorit të vitit 2020 thekson: “Sipas ekspertëve, Presidenti Biden nuk do të heqë dorë nga përdorimi i armës së preferuar të ish-Presidentit Trump – sanksionet – teksa kërkon të riformojë politikën e jashtme amerikane.”
Vlen të përmendet se administrata Trump “shpalli rreth 3,800 sanksione të reja ose ‘përcaktime’ krahasuar me 2,350 të mandatit të dytë të Obamës, dhe miratoi më pak fshirje nga lista, mjeti me të cilin Uashingtoni shpërblen ata që përmirësojnë sjelljen”.
Nuk duhet harruar këtu se Administrata Trump ishte flamurtarja e përdorimit të ndalimit të vizave për udhëtim drejt SHBA-së, duke goditur më shumë se 200 zyrtarë të huaj me heqje vizash, – një sanksion rrallëherë i përdorur përpara saj. Kjo administratë përshkallëzoi ashpër përdorimin e të ashtuquajturave sanksione dytësore, që ndëshkonin si miqtë, ashtu edhe armiqtë. Duhet të kujtojmë këtu se Ligji Magnitsky i SHBA-së filloi të marrë një fushëveprim global që nga viti 2016, duke i mundësuar SHBA-së të vendosë kufizime vizash në të gjithë botën.
Parashikimi i Reuters qëndron: tashmë është e qartë se sanksionet do të mbeten një instrument qendror i fuqisë së SHBA-së nën Presidentin Biden në 2022- edhe pse “nuk këndohen më pas refrenit “Amerika vjen e para!” (America First!) që shënoi politikën e jashtme të Trump.
Duke lënë mënjanë retorikën patriotike, për administratën Biden shkeljet e të drejtave të njeriut dhe korrupsioni, mbeten të rëndësishme për projeksionin e fuqisë së SHBA-së në botë – jo vetëm sa ç ‘ishin për administratën Trump – rëndësia e tyre është rritur akoma më tej. Erica Gaston në artikullin me titull: “Sanksionet janë në modë, por jo shumë efektive” në shkurt të këtij viti vërejti se administrata Biden shpalli 173 përcaktime në përputhje me Ligjin Magnitsky në 2021, krahasuar me vetëm 12 të vitit 2020. Sipas Benjamin Press, i cili i ndjek këto çështje për Carnegie Endowment “heqja e vizave është shndërruar në një nga mjetet e preferuara të administratës Biden për ndëshkimin e aktorëve të dëmshëm (bad actors) jashtë vendit”.
Për ata që ndjekin zhvillimet e fundit në luftën e përjetshme të së mirës kundër së keqes, përcaktimet publike duket se janë shndërruar në rimishërimin modern të shpatës së Solomonit. Ata që e përdorin janë të vetëdijshëm se nuk janë mbretër biblikë; ata e dinë se përcaktime të tilla nuk janë plumba argjendi, ata e dinë se futja në listën e zezë të zyrtarëve të huaj shpesh merr një kuptim simbolik (lexo ‘politik’), në vend të një ndikimi efektiv në pasurinë e tyre shpesh të fituar me mashtrim. Ishte e qartë që në krye të herës se përdorimi i pamatur i sanksioneve herët a vonë do të lëshonte shkëndija.
Dhe ndodhi pikërisht kështu.
Më parë përmenda Sali Berishën, themeluesin dhe liderin aktual të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Për mua, ai është shembulli i gjallë që ilustron këtë. Në maj 2021, Berisha u shpall nga Sekretari amerikan Blinken si përgjegjës për përfshirje në korrupsion të rëndë. Në atë moment, Berisha, 77 vjeç, një ish-lider konservator, ishte në rrugën e daljes së natyrshme nga politika. Nëse administrata Biden nuk do të ishte marrë me të, sot ai do të ishte thjesht një tjetër një politikan i nisur për pension në një vend të vogël në Evropën Juglindore. Megjithatë, pas këtij akti, ai e pa veten të rikthyer me forcë në skenë, i prekur dhe i befasuar, në një përpjekje për të mbrojtur veten po aq sa për ruajtur nderin e tij. Në fund, kjo situatë e riktheu atë, edhe një herë, në krye të partisë.
Më 7 korrik 2022, opozita ia njohu të drejtën për ta udhëhequr, duke iu bashkuar thirrjes së tij për një tubim masiv në kryeqytetin e Shqipërisë kundër asaj që Berisha e quajti “Një qeveri e korruptuar socialiste”.
Një analizë e ngjarjeve të fundit në Shqipëri e ka të pamundur mos të pikasë një sërë absurditetesh:
Absurdi i parë: Një lider konservator shqiptar, antikomunist, thuajse në pension, ringrihet në këmbë dhe merr drejtimin e opozitës pikërisht për shkak të përfshirjes në listën e zezë të SHBA.
Absurdi i dytë: Një ish-lider, tani lider aktual, i akuzuar për korrupsionin e tij në të kaluarën, udhëheq një protestë masive të opozitës kundër një qeverie që akuzohet për korrupsion në të tashmen.
Absurdi i tretë: Pak ditë pas protestës së opozitës, më 21 korrik, Mbretëria e Bashkuar, një vend që u largua disa vite më parë nga Evropa, iu bashkua Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit në Evropë.
Absurdi i katërt: Mbretëria e Bashkuar zgjodhi të kthehej në skenën evropiane duke pilotuar përpjekjet e saj kundër korrupsionit jashtë shtetit në një vend, Shqipërinë që teknikisht nuk është (ende) pjesë e Evropës.
Mbretëria e Bashkuar u ngjit në skenën e fetva-s globale duke vënë në shënjestër një politikan të largët, ndoshta të parëndësishëm, ndoshta të vogël, por në çdo rast të ringjallur, për shkak të korrupsionit që supozohet se ka ndodhur dhjetë vjet më parë.
Disa orë përpara se të publikohej përfshirja e tij në listën e zezë të Mbretërisë së Bashkuar, mediat pro-qeveritare të Shqipërisë shpallnin triumfalisht se lideri i opozitës shqiptare, i goditur fillimisht nga lista e zezë e SHBA-së, do të merrte fundin e merituar nga lista tjetër e Mbretërisë e Bashkuar.
Opozita shqiptare e ndjeu goditjen, socialistët shqiptarë, trashëgimtarët e vërtetë të komunistëve, u lumturuan. Në luftën e përhershme mes të mirës dhe të keqes, ata (përsëri!) nuk ishin të këqijtë. Për më tepër, në lidhje me këtë, ata kishin informacion të brendshëm nga Britania e Madhe. Dhe ishin më se të lumtur ta bënin atë publik!
Do të ishte absurde të mos e quanim këtë veprim të bashkërenduar; do të ishte absurde të mos kuptonim se ky sulm ishte politik. Një sulm politik sigurisht, por i veshur me petkat e luftës së shenjtë kundër korrupsionit. Luftërat e shenjta –kundër terrorit, korrupsionit, armëve të shkatërrimit në masë, ekstremizmit të dhunshëm ose populizmit – mund të bëhen në emër të kauzave të drejta dhe fisnike, por pashmangshmërisht ato të kujtojnë kryqëzatat. Pas shumë dekadash teorie kritike, është e vështirë të pretendohet se kryqëzatat ishin thjesht një përpjekje morale që i justifikoi plotësisht pasojat e saj.
Megjithatë, nëse SHBA ose Britania e Madhe duan të vazhdojnë të vringëllojnë shpatën e shenjtë të drejtësisë globale, ata duhet ta bëjnë këtë me largpamësi dhe mendje të kthjellët, në mënyrë që veprimet e tyre të mos t’i bëjnë realitetet e rrëmujshme lokale akoma më të rrëmujshme se ç ‘ishin. Në vendin tim, veprimi i SHBA i dha një të ardhme politike pikërisht njeriut që duhej turpëruar shkak të së shkuarës së tij.
Ky veprim nuk e bëri Amerikën më të fortë, Mbretërinë e Bashkuar më të rëndësishme, apo Shqipërinë më të sigurt – ai i bëri miqtë tanë anglo-amerikanë të duken më të dobët se ç ‘janë dhe qeverinë thuajse autokratike socialiste të Shqipërisë të duket më e fortë se ç ‘duhet të jetë.
Ç’ mund të themi për limitet njerëzore kur bëhet fjalë për të vendosur fundin e karrierës së një figure ndërkombëtare, pasi në fund të fundit edhe vendimi për sanksionet e SHBA-së merret nga qenie njerëzore, të cilat ndodh që edhe gabojnë? A duhet të ketë Berisha dhe ata që njëlloj si ai ndihen të tradhtuar nga aleatët e tyre historikë, të drejtën të përballet me akuzat që i janë bërë publikisht, në një proces transparent? A duhet të ketë ai të drejtën e ankesës?
Me sa duket jo.
Përcaktimet publike të përdorura sipas dispozitës 7031 (c) u krijuan si një mjet i gjithanshëm dhe i fuqishëm i politikës së jashtme amerikane. Ata kishin për qëllim të shkëpusnin kombet nga udhëheqësit e tyre të korruptuar me shpresën se në këtë mënyrë do të mbështetej emancipimi i tyre. E drejta për të shpallur si të korruptuar një zyrtar të huaj vendosi mbi kokën e Sekretarit të Shtetit aureolën e kryepriftit të antikorrupsionit global.
Natyrisht është e kotë të mohohet ndikimi jashtëzakonisht pozitiv i kësaj fuqie kolosale nëse ajo përdoret me maturi dhe kursim: kundër diktatorëve dhe zyrtarëve aktualë ekstremisht të korruptuar dhe liderëve që janë përfshirë në gjenocid dhe shkelje masive të të drejtave të njeriut.
Por ka raste kur altari i shenjtë i drejtësisë botërore është i zbrazët. Ndodh që edhe kryeprifti gabon. Ndodh që kur luan rolin e Perëndisë njeriu dështon. Vringëllimi i pakujdesshëm i armëve shkakton pashmangshmërisht viktima të pafajshme – dhe me këtë nuk kam parasysh zyrtarët e ‘e varfër’ të shënjestruar nga sanksionet – jam i sigurt se mjaft shpesh, të korruptuar apo jo, ata ia dalin të kujdesen për veten e tyre.
Me viktima të pafajshme nënkuptoj demokracitë e reja, institucionet e kombeve mike të ndërtuara mbi shtetin ligjor, të ardhmen e aleancave të ndërtuara mbi respektin reciprok, të ardhmen e perceptimit tonë për SHBA-në si një fuqi e përgjegjshme globale, si gur themel i demokracisë liberale.
A është bombardimi masiv me përcaktime publike shenja se SHBA ka zgjedhur ‘rrugën e shkurtër që të nxjerr gjatë’ në betejën me të këqijat e mëdha të kësaj bote? A luftohen ato me një stuhi fetva-sh, ose me një grusht indulgjencash për udhëheqësit e padenjë të kombeve tona? A nuk përbën ndërhyrje politike çdo gjë që shkakton trazira politike në një vend aleat dhe a nuk do të ishte utopike të pretendohej e kundërta? Çfarë ndodh nëse zyrtarë me qëllime të mira, të mirëshkolluar, të iluminuar, por ndoshta të keqinformuar, përziejnë politikën me utopinë në një koktej që supozohet të jetë aq i këndshëm sa t’u shijojë të gjithëve?
Një historiograf izraelit, ish-komunist dhe ish-anti-zionist, dikur shkroi: “Mos e ngatërroni utopinë me politikën, mos e bëni këtë gabim. Utopia duhet të udhëheqë politikën, jo ta zëvendësojë atë, nëse kjo ndodh, është shumë e rrezikshme.” Njeriu pas kësaj fjalie është Shlomo Sand, një profesor i historisë bashkëkohore, personazh me histori të ndërlikuar dhe ndikim të fortë nga ideologjia e majtë.
Teksa i përqasem rrëmujës globale që sot quajmë marrëdhënie ndërkombëtare nga një perspektivë konservatore, ndjej tundimin për t’iu rikthyer pikëpamjes ideologjike të Sand për “gjendjen e përhershme të krizës së kapitalizmit”, e cila, për të dëmtuar të ardhmen e njerëzimit në të gjitha format e saj, kërkon patjetër gjetjen dhe shpikjen e kurbaneve.
Edhe pse sinqerisht kundërshtoj çdo teleologji politike marksiste, nuk mund të mohoj se një nga rrugët më joshëse që SHBA t’i afrohet sadopak parashikimit të zymtë të Sand kalon shumë pranë thelbit aktual të politikës së saj të jashtme aktuale – fetva-s “liberale”.
Nuk besoj aspak se kokat e kurbaneve të sotëm janë vendosur nën satër për shkak të krizës së përhershme të fazës së fundit të kapitalizmit dhe as nuk besoj se na duhet një revolucion të përhershëm ose një pararojë intelektuale në Uashington DC ose diku tjetër për të luftuar me të këqijat e saj – jo të pakta.
Megjithatë, edhe nëse zgjidhjet janë të vështira për tu gjetur, kokat e turkut janë gjithnjë aty. Ndonjëherë ato derdhen në beton, të përcaktuara si shkaktare për korrupsion të rëndë, dhe të blinduara kësisoj, hidhen drejt e në themelet e godinës shkel e shko të asaj që mund ta quajmë ‘diplomacia post-Twitter’ – më shumë se kurrë të mbajtur në këmbë nga marifetet e qesharake të PR, buzëqeshjet e rreme dhe algoritmet e pafytyra, që i mbivendosen të kuptuarit realist të një bote gjithnjë e më të zymtë, armiqësore dhe kontroversiale.
Njëri ndër instrumentet tashmë të vendosur në qendër të politikës së jashtme aktuale të SHBA-së (dhe së fundmi edhe të Mbretërisë së Bashkuar) është, duam apo jo, fetva liberale – ajo që erdhi më vonë, pasi SHBA hoqi dorë nga versioni që thoshte “Amerika vjen e para”.
Detyra jonë për ta ruajtur Amerikën si fener shprese në një botë gjithmonë e më të errët është pikërisht kjo – të mos ta lëmë të shndërrohet në një makineri që prodhon fetva liberale me një ritëm gjithmonë e më marramendës.
*Autori i shkrimit, Enri Çeno është sekretar i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Partinë Demokratike të Shqipërisë