Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka ironizuar sot kryeministrin Edi Rama lidhur me kompanitë e basteve, përmes një shprehjeje që ai vetë e ka përdorur pak kohë më parë duke cituar Kuranin.
Tabaku shkruan në “Twitter’ se si do ia justifikojë të tijve Rama ndryshimin e mendjes hapjen e pikave të basteve.
“Njeriu që citonte Kuranin për të këqijat e basteve ka lajmëruar diskutimin për rihapjen e tyre. Jam kurioze të di si do ia justifikoje të tijve ndryshimin e mendjes?! Po shqiptarëve që në tetor 2018 u tha se gjithë pronarët e basteve qenë kriminelë?! Çka ndryshuar nga dje?!”- shkruan Tabaku e cila risjell dy postimeve të vjetra të Ramës lidhur me këtë çështje.
Ky koment i Tabakut vjen pas diskursit të hapur lidhur me rihapjen e kompanive të llotove dhe basteve. Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, është një nga personat kryesorë të kësaj fushate, pasi vetëm pak ditë më parë i bëri thirrje kryeministrit që të “nxjerrë nga errësira” kompanitë e basteve. Megjithatë nga kryeministri nuk kemi një konfirmim zyrtar mbi këtë.