Vendosni fjalën kyçe....

BE do pezullojë marrëveshjen e vizave me Rusinë


Josep Borrell, zyrtari më i lartë i politikës së jashtme të BE-së, konfirmoi të mërkurën se ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare ranë dakord të pezullonin plotësisht një marrëveshje me Moskën që lejonte qytetarët rusë të aplikonin për viza të BE-së sipas një procedure të thjeshtuar.

Borell pohoi në një postim në Twitter se ‘një rritje e konsiderueshme e kalimeve kufitare nga Rusia në shtetet fqinje’ po përbën një rrezik sigurie.

“Prandaj ne jemi dakord sot me ministrat e Jashtëm të BE-së për pezullimin e plotë të marrëveshjes BE-Rusi për lehtësimin e vizave.” – shkroi ai. Zyrtari nuk ka dhënë hollësi se kur saktësisht do hyjë në fuqi ndryshimi.

Vendimi u raportua më herët gjatë ditës nga ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto. Zyrtari tha se nuk kishte njëzëshmëri midis anëtarëve të BE-së për një ndalim më të ashpër të përgjithshëm të vizave. Por propozimi për të pezulluar marrëveshjen kërkon vetëm një shumicë të cilësuar votash’, shtoi ai.

Kufizimet e mundshme të vizave po diskutohen këtë javë gjatë një takimi jozyrtar dy-ditor të ministrave të Jashtëm të BE-së në Pragë. Një ndalim i plotë ishte përkrahur nga vende të tilla si Polonia dhe tre shtetet baltike, të cilat janë më armiqësore për këtë çështje sesa homologët e tyre evropianoperëndimorë Gjermania dhe Franca.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha përpara takimit në Pragë se vendi i saj nxiti pezullimin e marrëveshjes së vitit 2006 si një zgjidhje kompromisi midis forcave të vijës së ashpër dhe atyre që nuk donin të synonin fare turistët rusë.