Importet e energjisë në 6-mujorin e parë të këtij viti u trefishuan në raport me një vit më parë, ndërkohë që në totalin e energjisë në dispozicion ato zunë 34%.
Një vit më parë, pesha e tyre në totalin e energjisë në dispozicion që llogarit prodhim dhe importe minus ekspote ishte 7%.
Mjaftojnë këto shifra për të treguar rrezikun ndaj të cilit është ekspozuar vendi këtë vit për shkak të çmimeve të larta me të cilat energjia po sigurohet në tregun e lirë, si efekt i mungesës i krizës globale të energjisë, por edhe situatës jo aq të mirë hidrike.
Importet ishin mbi 663 mijë MWh ndërkohë që çmimet mesatare në periudhën janar-qershor 2022 u luhatën mes 300-400 euro Mwh.
Aktualisht këto çmime kanë arritur nivele të frikshme me një rekord në datën 30 gusht kur 1 Mwh energji u sigurua për 1047 euro, niveli më i lartë ndonjëherë nga nisja e krizës.
Importet në 6-mujorin e parë të këtij viti edhe pse kanë përbërë gati 1/3 e energjisë në dispozicion sërish janë amortizuar nga prodhimi vendas duke prodhuar një pjesë të energjisë edhe nga kaskada e Drinit.
Aktualisht prodhimi, sërish për shkak të çmimeve tejet të larta, po amortizohet nga kaskada ku rezerva energjetike po bie me shpejtësi.
Një tjetër tendencë që vihet re në 6 mujorin e parë të këtij viti në raport me një vit më parë është përdorimi i energjisë. Bizneset dhe familjarët kanë shfaqur një tendencë kursimi, duke ulur konsumin e energjisë. Për bizneset në tregun e liberalizuar, kostot janë rritur me disa herë duke ndikuar ndjeshëm konsumin ndërsa për familjarët kjo duket më shumë si një tendencë kursimi për shkak të rritjes së çmimeve në segmente të tjera dhe sidomos të produkteve ushqimore.
Bilanci i energjisë
“Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022, energjia elektrike në dispozicion u ul me 3,5%.
Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u ul me 38,1% duke arritur vlerën 1.647 GWh nga 2.660 GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2021.
Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 38,3%, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 60,9 % dhe nga të tjerë prodhues (Fotovoltaik) në masën 0,8% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e dytë të vitit 2022, arriti vlerën 664 GWh nga 228 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rritje me 2,9 herë. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 415 GWh nga 924 GWh duke shënuar një rënie me 55,1 %” vlerëson INSTAT.
Sipas shifrave zyrtare hidrocentralet publike, në tremujorin e dytë të vitit 2022, prodhuan 631 GWh nga 1.557 GWh të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2021, duke shënuar kështu një rënie të prodhimit me 59,5%.
Hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 1.002 GWh nga 1.090 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rënie të prodhimit të energjisë elektrike me 8,0%. Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në tremujorin e dytë të vitit 2022 ka arritur vlerën negative prej 249 GWh krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021 ku kishte nje vlerë pozitive prej 696 GWh” thuhet në publikim.
“Humbjet në rrjet arritën vlerën 363 GWh nga 400 GWh duke shënuar kështu një rënie me 9,5 %. Humbjet në transmetim kanë rënë me 8,3% ndërsa humbjet në shpërndarje kanë rënë me 9,7 %. Humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 6,2 %, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 16,2%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021”
Biznesi ka pasur një rritje të konsumit me 3 për qind në 3-mujorin e parë 2022 ndërkohë që ky konsum është ulur me 2% në 3-mujorin e dytë 2022.
Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e dytë të vitit 2022, u ul me 1,9 % duke arritur vlerën 1.533 GWh nga 1.563 GWh që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2021.
Ndikimin më të madh në uljen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, ku kemi një rënie të konsumit të energjisë elektrike me 2,1%, përkundrejt rënies me 1,7% të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjar”.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al