Vendosni fjalën kyçe....

Festimi i çuditshëm i babait dhe trajnerit pas fitores, tenistja 16-vjeçare pas kritikave: Ishte reagim spontan, por nuk do të ndodhë më


Tenistja çeke 16-vjeçare, Sara Bejlek është bërë objekt i komenteve në rrjet, pas festimit të çuditshëm të babait të saj dhe trajnerit, pasi kaloi në raundin kualifikues për US Open në New York.

Siç shihet në videon virale, kur Bejlek shkon drejt të atit pas fitores e puth në buzë, ndërsa ai i fërkon të pasmet. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me trajnerin e saj, i cili e përqafon dhe i fërkon të pasmet.

Bejlek është detyruar ta sqarojë këtë festim të tyre para gazetarëve duke thënë se ka qenë thjesht një reagim spontan, por që nuk do të ndodhë më.

“Sigurisht që e pashë videon. Ishte një reagim spontan i të gjithë ekipit. Ne u gëzuam. Sigurisht që disave mund t’ju duket e papërshtatshme dhe e pakëndshme, por ne e kemi diskutuar tashmë me ekipin. Nuk do të ndodhë përsëri.”- tha Bejlek.

Tenistja i mbroi babanë dhe trajnerin, duke thënë se: “Babi është babai im dhe do të jetë gjithmonë. Dhe trajnerin e kam njohur që në moshën tetë vjeçare. Ai më regjistron, ai më masazhon. Nëse diçka e ngjashme do të ndodhte në Republikën Çeke, askush nuk do të merrej me këtë. Por meqë jemi në Amerikë, të gjithë e komentojnë. Por siç thashë, ne folëm dhe nuk do të ndodhë më.”

Videoja virale e cila është shpërndarë në Twitter ka pothuajse 300 mijë shikime.