Kompanitë amerikane që janë tërhequr nga Rusia për shkak të presionit të sanksioneve perëndimore tani po kërkojnë një mënyrë për të bërë tregti fshehurazi me Moskën nëpërmjet Turqisë, raportoi të martën gazeta ‘Yeni Safak’.
Shkrimi theksoi se një numër firmash duan të anashkalojnë kufizimet ekonomike kundër Rusisë dhe po kërkojnë nga kompanitë turke të kryejnë biznes të përbashkët për një ‘komision të caktuar’. Numri i propozimeve të tilla nga kompanitë amerikane është rritur muajt e fundit, thanë të përditshmes njerëz të njohur me këtë çështje.
Firmat amerikane thuhet se po kërkojnë të importojnë një sërë mallrash ruse, duke përfshirë prodhime petrokimike, lëndë djegëse minerale, metale dhe gurë të çmuar, drithëra, hekur dhe çelik, plehra dhe kimikate inorganike, akuakulturë dhe pije alkoolike.
“Kompanitë amerikane që përpiqen të përfitojnë nga marrëdhëniet e ngrohta të Turqisë me Rusinë gjithashtu duan të përfitojnë nga mundësitë efektive logjistike të kompanive turke në rajon.” – shkroi Yeni Safak.
Sipas raportit, shumë kompani ndërkombëtare me seli në SHBA kanë mobilizuar filialet e tyre në zonat e tregtisë së lirë të Dubait për një biznes të tillë.
Bizneset amerikane kanë pësuar humbje të mëdha duke u tërhequr nga tregu i madh rus, shkruan gazeta, duke vënë në dukje se Uashingtoni pati një deficit tregtar prej 23.3 miliardë dollarësh me Moskën në vitin 2021.