Një stuhi e pazakontë dhe e fortë breshëri goditi rajonin spanjoll të Katalonjës vonë të martën, duke plagosur dhjetëra njerëz dhe duke vrarë një vajzë 20-muajshe. Stuhia ishte më e rënda në të paktën dy dekada, tha agjencia lokale meteorologjike Meteocat.
Megjithëse stuhia zgjati vetëm rreth dhjetë minuta, ajo ishte jashtëzakonisht intensive dhe disa prej kokrrave të breshërit ishin jashtëzakonisht të mëdha. Rreth 50 njerëz në të gjithë rajonin pësuan lëndime të ndryshme, duke përfshirë thyerje të eshtrave dhe mavijosje.
Meteocat tha se stuhia e breshërit ishte një fatkeqësi ‘historike’ për rajonin, dukuria më e keqe e tillë në të paktën dy dekada. Agjencia publikoi foto të breshërit, me më të madhin me diametër rreth 10 cm.
Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin La Bisbal d’Emporda, ku një vajzë e vogël vdiq në një spital pasi pësoi një goditje të drejtpërdrejtë në kokë nga një kokërr breshëri.
Stuhia shkaktoi edhe dëme materiale, me kokrra breshëri që thyen çatitë dhe strukturat e tjera. Shërbimi rajonal i zjarrfikësve të Katalonjës tha se kishte marrë 39 telefonata vetëm nga La Bisbal d’Emporda gjatë natës, me dy thirrje gjithashtu nga qyteti i afërt i Forallac. Shërbimi i urgjencës tha se linjat e energjisë ishin ndërprerë dhe çatitë ishin dëmtuar në disa zona.