Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk realizoi objektivat”- Ministri Çuçi njofton shkarkimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano


Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka njoftuar sot shkarkimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Gledis Nano.

“Përshëndetje, sot qeveria mori vendim për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, shkarkim i cili lidhet me mospërmbushje të objektivave që kishim vënë në lidhje me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe kryesisht lidhet me situatën e krijuar në muajt e fundit.

Situatë që normalisht kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas në Policinë e Shtetit. Për momentin detyrat do t’i ushtrojë nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe shumë shpejt besoj do ju lajmërojmë për emërimin e drejtorit të ri të Policisë.”- tha ministri Çuçi.

Prej disa ditësh tashmë kanë qarkulluar lajme lidhur me një dorëheqje të mundshme të Gledis Nanos nga detyra. Zëra të cilat në një prononcim për mediet ai i hodhi poshtë duke thënë se “as ka dhënë dorëheqjen dhe as nuk ka ndërmend ta bëjë”. Por mesa duket nuk bëhej fjalë për dorëheqje por për shkarkim të tij.

Nano u emërua drejtor i Përgjithshëm i Policisë më 6 tetor 2021 duke zëvendësuar në këtë pozicion Ardi Veliun, i cili u emërua më vonë zv. ministër i Infrastrukturës.