Vendosni fjalën kyçe....

Përdhunimi i 11-vjeçares në Prishtinë, protestuesit hedhin bojë të kuqe mbi institucionet


Këtë të mërkurë shoqëria civile dhe qytetarë kanë dalë për të protestuar sot në Prishtinë kundër dhunimit të 11-vjeçares nga pesë persona, një ngjarje që tronditi opinionin publik.

Protestuesit që kërkojnë të vihet drejtësi dhe që dhunuesit të marrin ndëshkimin e merituar, kanë hedhur bojë të kuqe në muret e Ministrisë së Drejtësisë.

Të njëjtën gjë kanë bërë edhe në ndërtesën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe në Prokurorinë e Shtetit.

 

Protestuesit brohorasin dhe mbajnë parrulla me fjalët “Viktima nuk ka faj”, “mbrojtje për viktimat” “Qysh s’po ju vjen marre”, “Burgim të përjetshëm”.

Kjo protestë vjen pasi disa ditë më parë një 11-vjeçare u dhunua në Prishtinë nga pesë persona, të cilët tashmë janë vënë në pranga. Tre prej tyre janë të mitur.

Të martën është mbajtur një tjetër protestë për po të njëjtën arsye. Për shkak të ngjarjes së rëndë, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dha dorëheqjen.