Vendosni fjalën kyçe....

Rama dëgjesë publike me federatat sportive për bastet: Më keni bërë presion pozitiv prej muajsh, kjo kohë pa baste na dha mundësinë të shohim të dy anët e medaljes


Kryeministri Edi Rama po zhvillon këtë të mërkurë një dëgjesë publike të kërkuar nga federatat sportive për problematikën e basteve online në të zezë dhe propozimin për formalizimin e tyre.

Kjo 4 vite pas operacionit “Fundi i marrëzisë” që i mbylli pikat e basteve.

Rama u shpreh se prej disa muajsh ka patur një presion pozitiv.

 “Kjo ftesë është rezultat i një presion pozitiv që vazhdon prej shumë muajsh nga ana juaj që keni përsëritur në drejtim të qeverisë kërkesën për të konsideruar formalizmin e basteve sportive.

E kemi ndjekur këtë debat që keni hapur, ministrja e Arsimit dhe Sportit ka bërë komunikime me ju për t’ju dëgjuar nga afër shqetësimin, por edhe pretendimet tuaja. Padyshim që këtu bëhet fjalë për një sasi potenciale të ardhurash që do të ishin shumë të vlefshme për aktivitetin sportiv, qoftë për federatat e shumë sportit qoftë për FSHF. Kemi një kontekst i cili duhet kuptuar dhe për të cilin unë do them dy fjalë.

Ne vendosëm të ndalojmë lojërat e fatit duke pasur parasysh një situatë dramatike me pafundësinë e sallave të bingove dhe atyre makinetave, një shqetësim social për më të vegjlit, por edhe me situata dramatike të katandisura deri në tragjedi.”– tha Rama.

Sipas kryeministrit, kjo kohë 4-vjeçare pa lloto e baste ka shërbyer për të parë të dy anët e medaljes.

 “Kjo periudhë kohe na ka dhënë mundësinë të shohim dy anë të medaljes, anën pozitive dhe negative në aspektin e lulëzimit të këtij aktiviteti online, në të zezë, ku policia e shtetit e këtu është bashkë me ne dhe zv.drejtori i Përgjthshëm i Policisë që në detyrën e mëparshme ka mbuluar dhe këtë pjesë, përpjekjen për të çuar përpara ligjit organizatorë dhe pjesëmarrës në këtë aktivitet, një përpjekje që ka pasur rezultatet e veta por ka hasur dhe vështirësitë e veta objektive.”- tha ai.