Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Twitter lidhur me një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë që i konsideronte të pahijshme dhe të papranueshme sjelljen e tij.
Rama thotë se dikush duhet t’ja përkthejë qetësisht deklaratën e tij zyrtarëve bullgarë, e cila përmban të njëjtat komente si në muajin qershor.
“Ndoshta dikush duhet të ndihmojë miqtë tanë të Ministrisë së Jashtme bullgare me përkthimin e qetë të përgjigjes sime në Bled se si Bullgaria bllokoi hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për 🇦🇱&🇲🇰 kur më në fund të gjithë të tjerët ranë dakord pas 8 vitesh të gjata! Thjesht përsërita të njëjtat gjëra që thashë në qershor.
Nëse Ministria e Jashtme e Bullgarisë nuk kishte asgjë më të rëndësishme sot sesa një deklaratë publike për diçka që thashë në një panel të Forumit Strategjik të Bled, nuk mund veçse ta marr si një kompliment të madh për forumin dhe panelin, duke përfshirë edhe veten time! Por seriozisht, kjo është e pamerituar.”- tha Rama.
Ky koment i Ramës vjen pasi Ministria e Jashtme e Bullgarisë shprehej se “i refuzon” sugjerimet e “pahijshme” të tij se Bullgaria ka bllokuar negociatat për Shqipërinë.
“Në lidhje me deklaratat e reja, të paprovokuara, të njëpasnjëshme antibullgare të kryeministrit shqiptar Edi Rama gjatë Forumit të Bled më 29-30 gusht të këtij viti, bazuar në deklaratën e rreme se Bullgaria bllokoi fillimin e negociatave të Shqipërisë për 8 vjet për anëtarësimin në BE. MPJ i refuzon me vendosmëri sugjerimet e tij si të papranueshme dhe të pahijshme për sjelljen e një kryeministri të një vendi kandidat për anëtarësim në BE.”– thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme bullgare.