Rusia ka ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz në Evropë përmes një tubacioni të madh, duke thënë se nevojiten riparime.
Gjigandi shtetëror rus i energjisë, Gazprom, tha se kufizimet në gazsjellësin Nord Stream 1 do të zgjasin për tre ditët e ardhshme, shkruan BBC.
Rusia tashmë i ka reduktuar ndjeshëm eksportet e gazit nëpërmjet tubacionit, edhe pse i hedh poshtë akuzat për përdorimin e furnizimeve me energji si një mënyrë për të ndëshkuar vendet perëndimore për vendosjen e sanksioneve ndaj saj për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Tubacioni Nord Stream 1 shtrihet 1200 km nën Detin Baltik nga bregu rus pranë Shën Petersburgut deri në Gjermaninë verilindore.
Ai u hap në vitin 2011 dhe mund të dërgojë maksimum 170 milion metra kub gaz në ditë nga Rusia në Gjermani. Tubacioni u mbyll për 10 ditë në korrik, përsëri për riparime, dhe kohët e fundit ka funksionuar me vetëm 20% kapacitet për shkak të asaj që Rusia e përshkruan si pajisje me defekt.
Udhëheqësit evropianë kanë frikë se Rusia mund të zgjasë ndërprerjen në një përpjekje për të rritur çmimet e gazit, të cilat tashmë janë rritur me 400%.
Rritja e madhe kërcënon të krijojë një krizë të kostos së jetesës gjatë muajve të dimrit, duke i detyruar potencialisht qeveritë të shpenzojnë miliarda për të lehtësuar barrën. Të martën, ministrja franceze e Energjisë, Ministrja e Tranzicionit, Agnes Pannier-Runacher, akuzoi Rusinë se po “përdor gazin si armë lufte”.
Ajo po fliste pasi Gazprom tha se do të pezullonte dërgesat e gazit për kompaninë franceze të energjisë Engie. Por zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin ka hedhur poshtë akuzat dhe ka insistuar se janë sanksionet perëndimore ato që i kanë shkaktuar ndërprerjet duke dëmtuar infrastrukturën ruse.