Vendosni fjalën kyçe....

Shkarkimi i Gledis Nanos/ Ilir Meta: U bë kokë turku e radhës


Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka folur në një konferencë për mediet lidhur me shkarkimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Ai tha se Nano është “kokë turku” e radhës.

“Sot u njoftuam me vendimin e qeverisë për të shkarkuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, një vendim i çuditshëm por dhe tashmë i zakonshëm, pasi në një kohë kur priteshin përgjegjësitë në nivelet më të larta politike për dështimin e rëndë të rendit publik të sigurisë në tërësi të përkeqësimit të treguesve në luftën kundër krimit dhe gjithë trafiqeve, thjesht është e qartë që u bë dhe një kokë turku e radhës, i cili vetëm 10 muaj më parë u promovua me shumë entuziazëm dhe vlerësime si një prurje e re, cilësore dhe shpresdhënëse për drejtimin ligjor dhe qytetar të Policisë së Shtetit.

Nuk besoj se ka më ndonjë naiv në këtë vend që të besojë që drejtori i Policisë, deri dje, apo para 2 vitesh, 6 apo 10 vitesh që nga momenti kur Edi Rama u bë kryeministër, që drejtori ka qenë problemi i rendit publik, sigurisë, kriminalitetit, luftës kundër drogës dhe trafiqeve.

Dhe njëkohësisht as ministrat të cilët edhe ata janë bërë koka turku, kur rendi ka ardhur duke u përkeqësuar në mënyrë ekstreme.”– tha Meta.