Vendosni fjalën kyçe....

Shkarkimi i Gledis Nanos, reagon Ambasada Amerikane: Ishte një partner i fortë


Ambasada Amerikane ka reaguar pas vendimit të sotëm të këshillit të ministrave, për të shkarkuar nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nanon.

Ndonëse ai u shkarkua me arsyetimin se nuk përmbushi objektivat”, për ambasadën Amerikane Nano ka qenë një partner i fortë.

“I shprehim vlerësimin tonë Gledis Nanos, i cili ishte një partner i fortë i si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit.”– thuhet në reagimin e ambasadës.

 

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi kur njoftoi shkarkimin e tij tha: “Përshëndetje, sot qeveria mori vendim për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, shkarkim i cili lidhet me mospërmbushje të objektivave që kishim vënë në lidhje me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe kryesisht lidhet me situatën e krijuar në muajt e fundit. Situatë që normalisht kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas në Policinë e Shtetit.”

Nano u emërua drejtor i Përgjithshëm i Policisë më 6 tetor 2021 duke zëvendësuar në këtë pozicion Ardi Veliun, i cili u emërua më vonë zv. ministër i Infrastrukturës.

Gledis Nano ka qenë pjesë e Policisë prej rreth 20 vitesh, duke mbajtur detyra të rëndësishme.

Gjatë viteve të karrierës, Gledis Nano është vlerësuar herë pas here nga Policia e Shtetit por me punën si drejtues i Antiterrorit ra dhe në sy të amerikanëve, pasi në gusht të 2021-shit u vlerësua nga ambasadorja Yuri Kim me certifikate vlerësimi.