Vendosni fjalën kyçe....

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit arrin rekord në Tiranë, në 6 mujorin e parë 2022


Sipërfaqja që është dhënë për leje ndërtimi në Tiranë ka arritur një nivel rekord në 6 muajt e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të INSTAT, në kryeqytet, për periudhën janar- qershor 2022 është dhënë një sipërfaqe prej gati 1.2 milionë metra katror, me një rritje prej 45% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja ka ardhur nga sipërfaqja e lartë që u dha në tremujorin e parë prej 800 mijë metrash katror. Ndërsa në 3 mujorin e dytë ritmet u ngadalësuan dhe u dhanë 388 mijë metra katror leje, që gjithsesi ishin 4% më të larta sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi i korrespondon një vlere prej 42 miliardë lekë, apo rreth 350 milionë euro.

Ndërtimet janë përqendruar në kryeqytet. Sipas INSTAT, sipërfaqja e lejeve që u dhanë në Tiranë ishte 70% e totalit.

Pas Tiranës vendin e dytë e zë Durrësi, me një sipërfaqe lejesh prej 260 mijë metra katror, me dyfishim në raport me 6 mujorin e parë 2021, ose 15% të totalit.

Lejet në Shqipëri

Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë 2022 janë miratuar gjithsej 339 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 347 leje të miratuara në tremujorin e dytë 2021, duke shënuar një rënie prej 2,3%.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e dytë 2022, është 661.945 m 2, nga 544.127 m 2 miratuar në tremujorin e dytë 2021, duke shënuar një rritje prej 21,7%.

Në tremujorin e dytë 2022, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 25,9 miliardë lekë, nga 23,1 miliardë lekë miratuar në tremujorin e dytë 2021, duke shënuar një rritje prej 12,1%.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al