Vendosni fjalën kyçe....

S’pranon studentët e bardhë e aziatikët, Pfizer akuzohet për racizëm në programin e bursave


Gjiganti farmaceutik Pfizer ka tërhequr kritika ndaj programit të tij ‘Breakthrough Felloëship’, i cili pranon vetëm studentë me prejardhje zezake/afrikane, latine/hispanike dhe vendase amerikane, duke i ndaluar studentët e bardhë dhe aziatikë që të aplikojnë.

Në një shkrim të së martës të botuar nga Washington Free Beacon, një numër avokatësh të të drejtave civile deklaruan se programi i bursave të Pfizer ishte ‘në mënyrë flagrante i paligjshëm’ dhe një shkelje e qartë e akteve të të Drejtave Civile të 1866 dhe 1964, të cilat ndalojnë diskriminimin racor në punësim dhe kontraktime.

I shpallur në faqen e internetit të kompanisë, programi nëntë-vjeçar thotë se u ofron studentëve të kolegjit praktika të shumta dhe një diplomë master të financuar plotësisht, si dhe disa vite punësim në gjigantin farmaceutik. Pfizer thotë se planifikon të ‘edukojë’ 100 bashkëpunëtorë deri në vitin 2025 përmes programit, i cili pretendon se synon ‘të rrisë larmishmërinë duke nxitur një vend pune më gjithëpërfshirës’ dhe duke kultivuar një ‘mjedis talentesh të larmishëm’.

Megjithatë, avokatët e cituar nga Washington Free Beacon thonë se fakti që studentëve të bardhë dhe aziatikë u ndalohet të aplikojnë për bursë është diskriminim i hapur dhe është një ‘rast i qartë përgjegjësie’ sipas ligjit federal.

“Ky program i Pfizer është kaq i paligjshëm në mënyrë flagrante sa çuditem seriozisht se si e kaloi shqyrtimin e brendshëm nga këshilltari i përgjithshëm i tij.” – i tha gazetës Adam Mortara, një nga avokatët kryesorë të vendit për të drejtat civile.

Mendimi i tij u mbështet nga Gail Heriot, një anëtare e Komisionit Amerikan për të Drejtat Civile, e cila deklaroi se ‘korporatat e mëdha duket se kanë harruar se ekziston një gjë e tillë si ligji’.

Juristët e tjerë të kontaktuar nga Free Beacon thanë se ‘Breakthrough Felloëship’ ishte qartësisht e paligjshme dhe një shkelje e statuteve të të drejtave civile.