Vendosni fjalën kyçe....

“Bullgaria t’i kërkojë Ramës testin e drogës” – Deklaratat e Berishës në mbledhjen e Kryesisë


Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se është krijuar struktura bazë që përmban programin për paketën anti-krizë dhe zgjidhjen e probleme të tjera. Ai foli për protestat dhe skenarin e tij për sesionin e ri parlamentar, zgjedhjet lokale, aferat e qeverisë dhe emërimet e shkarkimet e fundit të zyrtarëve të lartë.

Ai e nisi mbledhjen duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për vjedhjen e parave të shqiptarëve përmes tenderave e koncensioneve.

Rama po përgatit katastrofën energjetike në vend

Berisha paralajmëroi se kryeministri Rama po përgatit katastrofën energjetike në vend.

“Edi Rama po përgatit katastrofën energjetike duke shkelur ligjet e vendit, që mbrojnë digat, që nuk lejojnë zbrazjen e digave deri në datën 1 shtator nën nivelin 284 metër.

Sot digat janë nën 270 metër. Për dy arsye:

Duan të sjellin errësirën, që të justifikojnë aferën e tmerrshme të kontraktimit të dy gjeneratorëve gjigantë nga Bangladeshi, të cilët shpenzojnë 520 mijë euro naftë dhe kanë qira ditore prej 92 mijë eurosh.

Ky i zbraz digat, por ky gjeneratorë që punojnë me mazut, me përqindje të tmerrshme squfuri, që për Vlorën janë sikur të fusësh 100 mijë automjete që bëjnë 100 kilometra çdo ditë në Vlorë, për mjedisin e saj, një prokurim pa tender. Një kompani gjigante.”– tha Berisha.

Nano iku pasi ra në dijeni të aferave të Olsit dhe Çuçit

Kryetari demokrat u ndal në mbledhjen e kryesisë edhe te shkarkimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Gledis Nano. Ai tha se Nano “ra në korent” për shkak të letërnjoftimeve që kishte marrë nga Gjermania lidhur me Call Center-at, ku doli dhe emri i vëllait të kryeministrit.

 “E vërteta është se ai pati fatin të bjerë në korrent dhe korrenti ishte afera e call-centerave ku doli emri i Olsi Ramës.

Skema ishte në Tiranë, vjedhja bëhej në Gjermani. Sigurisht autoritetet gjermane iu drejtuan Policisë Shqiptare, iku drejtuan këtij.”- tha Berisha.

Po ashtu përmendi edhe transportin e drogës me vela: “Iku Nano sepse 2.2 drogë ton në Itali nuk shkuan nga skafet por nga velat e klubit të grupit të Çuçit. Atë kam pasion unë tha, nuk merrem me skafe, merrem me velat. Na dolën velat transportuesit kryesor të drogës.”

Kreu i SHISH-it i pashkollë, doli drejtor i ri nga zyrat e Ramës

Në mbledhjen e sotme Berisha u ndal dhe tek emërimet dhe shkarkimet e drejtorëve. Ai foli për Helidon Bendon, duke thënë se nga i pashkollë shkoi direkt tek zyrat e kryeministrit Edi Rama dhe doli drejtor.

“Iku dhe drejtorja e Agjencisë së Luftës kundër larjes së parave.  Nuk e njihja atë, ishte një emër formal në atë detyrë. Iku dhe do vihej një militant i PS në mënyrë të tillë që agjencia të kthehej në agjenci të larjes së parave të krimit.

Iku edhe drejtori i shërbimit Informativ, lajmi është që nga zyra e Ramës shkon një zëvendës drejtor. Drejtori është në një shkollim pa afat në SHBA, ishte i pashkollë, Helidon Brendo. Doli drejtor i ri dhe shkon direkt nga zyrat e Edi Ramës.”– tha Berisha.

Sipas tij, të gjitha këto tregojnë për një revansh të papërmbajtur të krimit dhe mafies në Shqipëri.

Rama po bën gjithçka që të bllokojë negociatat

Kryedemokrati u ndal edhe në përplasjen e fundit mes kryeministrit dhe ministrisë së Jashtme të Bullgarisë. Berisha thotë se Rama po bën gjithçka që të bllokojë negociatat me BE-në, duke sulmuar një vend mik si Bullgaria.

“Rama po bën gjithçka që të bllokojë negociatat me BE-në. Sulmi dhe lufta e ftohtë që i ka shpallur Sofjes, një vend mik Bullgaria, dhe e sulmon brutalisht.

Në Tiranë ka qenë një personazh që quhej Saçi. Ai kalonte rrugëve.

Unë ju garantoj se Saçi do përfaqësonte me më shumë dinjitet Shqipërinë në çdo samit se Edi Rama.

Si mund të sulmosh një vend, duke thënë se ka tetë vite që na bllokoi Bullgaria?”– tha Berisha.

Bullgaria të kërkojë testin e drogës ndaj Ramës

Ndërsa fliste për përplasjen me Bullgarinë, Berisha u sugjeron zyrtarëve të këtij shteti që të kërkojnë testin e drogës nga Rama.

“Unë, duke i kërkuar edhe njëherë ndjesë qeverisë bullgarë, i bëj thirrje ta hedhë në gjyq për shpifje, sepse ky është një shpifës kongjenital.

Thirrja e dytë miqësore për ta, që të kërkojnë testin e drogës, sepse një njeri i tillë mund të ndërmarrë një sulm ndaj një vendi mik dhe aleat me një marrëdhënie të shkëlqyer mes kombeve dhe vendeve siç bën ai.”- tha ia.

Protesta e gjatë dhe e qëndrueshme është shkatërrimtare për këtë regjim

Kryetari demokrat tha se qytetarët kanë pritshmëri shumë të larta nga PD por edhe PD është e vendosur të bëjë gjithçka për t’u dalë zot dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë.

Ai u ndal tek protestat duke theksuar se “Protesta e gjatë dhe e qëndrueshme, shkatërrimtare për këtë regjim, është jetike dhe vendimtare për të ecur në rrugën e demokracisë”.

Berisha tha se përgjigjia popullore ndaj tyre është rruga më e domosdoshme. Ai tha se qeveria e Ramës është pushteti i dhunimit të votës. Por theksoi se askush nuk mund t’u diktojë shqiptarëve që të pranojnë një pushtet që vjen nga vota e dhunuar nga “terroristët e kuq të votës”, patronazhistët.

“Jo, ne ngrihemi kundër këtij regjimi me besimin më të madh se shqiptarëve do u kthejmë të drejtën e votës. Edi Rama do marrë të gjitha mësimet që meriton për dhunimin që i ka bërë votës së shqiptarëve.”- shtoi ai.

Primaret janë dritë shprese për shqiptarët

Kryetari i PD-së foli dhe për fushatën lokale duke theksuar rëndësinë e primareve, duke i konsideruar si dritë shprese për demokracinë.

“Ne si PD kemi fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale.

Imagjinoni ju, se çfarë rëndësie jetike kanë procedurat demokratike që bëjmë ne, në një shtet mafioz ku shkelmohet vota, ku partia rivale ka ndaluar votën brenda saj.

Këto primare dhe kjo procedurë janë dritë shprese për demokracinë dhe shqiptarët.

Mbahen në kushte shumë të vështira, por kanë shpirtin e pluralitetit në vete, kanë fundin e kryetarokracisë.

Duhet të bëjmë gjithçka për një procedurë sa më transparente të zgjidhen kandidatet më të mirë me votën e lirë.”– tha Berisha.