Vendosni fjalën kyçe....

“Ky libër do të fshijë kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës”- Përurohet Abetarja e përbashkët


Këtë të enjte është prezantuar në Gjakovë, abetarja unike me të cilën do të mësojnë nxënësit e klasave të para në Shqipëri dhe në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se me abetaren unike, kombi shqiptar ndihet më i bashkuar. Sipas tij, fati i shkollës shqipe ka qenë i lidhur me fatin e kombit tonë.

 “E nderuar ministre e Arsimit në Shqipëri dhe në Kosovë, të nderuar autorë të abetares, të nderuar mësues dhe nxënës. Alfabeti ynë i përbashkët do të mësohet në një abetare të përbashkët. Abetarja e përbashkët shërben për një popull që ecën përpara i bashkuar. Fati i shkollës shqipe ka qenë i lidhur me fatin e kombit tonë. Sot kombin tonë e përbashkon edhe kjo abetare unike, kështu po materializohet frymëzimi i trashëguar ndër breza.

Duhet të kujtojmë me nderim të gjithë ata pena që nuk u thyen, por shtruan rrugën e dritës, pavarësisht sakrificave të mundimshme. Jam i lumtur që kemi në dorë abetaren e përbashkët, që u zotuam që ta kemi në mbledhjen e përbashkët të qeverive tona. Do shpërndajmë edhe tekst për gjuhën për shqiptarët në mërgatë. Vetëm bashkë mund të shtyjmë përpara përparimin dhe dijen. Shkolla do të bëjë të mundur edhe edukimin vleror. Udha e shkronjave është e gjatë dhe vështirë, iu qoftë e mbarë rruga e diturisë për ju vogëlushë, nga ky libër përplot diell në fletët e tij.”– deklaroi kryeministri Kurti.

E pranishme ishte edhe ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi. Ajo tha se kjo është një ditë historike dhe se kjo abetare do të fshijë kufijtë mes dy vendeve.

“Shumë njerëz ishin skeptike, që ne do ta realizonim këtë nismë. Jo thjesht një abetare të re, por një abetare cilësore  dhe që reflekton të gjitha shqetësimet.

Kur ka bashkëpunim asgjë nuk është e pamundur. Kjo abetare do të fshijë kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ky është libri që do ta na bashkojë më shumë dhe forcojë më shumë dashurinë për njëri-tjetrin. Jemi një komb dhe kemi një gjuhë.

Edhe Faik Konica ka thënë e vetmja lidhje që i ka mbajtur të lidhur shqiptarët ka qenë gjuha shqiptare.

Për ne nuk ka krenari më të madhe sesa gjuha shqipe.

Sa shumë histori me shkronjat shqipe. Ne kemi organizuar një ekspozitë me të gjitha abetaret, më shumë se 100 abetare.

Unë jam krenare që gjuha shqipe mësohet jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në Universitetet më prestigjioze në botë. Së fundmi gjuha shqipe do të mësohet në Universitetin e Harvardit.”– tha Kushi.