Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet në Itali, Meloni publikon ‘Manifestin’, premton të ndalojë emigrimin e paligjshëm, të rrisë ekonominë e të mbështesë lindjet


Sondazhet tregojnë një epërsi të qëndrueshme për aleancën e krahut të djathtë në zgjedhjet italiane të 25 shtatorit, me konservatorët e Melonit që premtojnë ndihmë për familjet për të frenuar rënien e numrit të lindjeve dhe populistët e Salvinit që zotohen të veprojnë kundër emigracionit të paligjshëm.

Udhëheqësja konservatore i Fratelli d’Italia Giorgia Meloni ka nisur manifestin zgjedhor të partisë duke premtuar të mbështesë mallrat ‘Made in Italy’, të ndalojë imigracionin e paligjshëm dhe të mbështesë lindjet në vend.

Ajo e nisi këtë javë manifestin prej 40 faqesh, i cili premton fillimisht të mbështesë familjet italiane dhe të kërkojë rritjen e nivelit të lindjeve në vend, që është një nga më të ulëtat në Evropë dhe ra në nivelet më të ulëta rekord gjatë vitit të parë të pandemisë së koronavirusit.

Ndër politikat pro-familjes është një pagesë prej 300 euro në muaj për fëmijët gjatë vitit të tyre të parë, e cila ulet në 260 euro në muaj derisa fëmija të jetë 18 vjeç. Po kështu do ketë ulje të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për produktet e fëmijërisë të tilla si ushqimet për fëmijë dhe dëshiron të bëjë njëqind mijë eurot e para të çdo blerjeje të shtëpisë së parë pa taksa.

Partia e Melonit premton gjithashtu të bëjë më shumë për të ekspozuar prodhuesit italianë të mallrave të ndryshme nga vera te prodhimet luksoze e kulturore, duke përfshirë prodhimin e certifikatave ‘Made in Italy’ për kompanitë dhe promovimin e turizmit tregtar.

Emigracioni i paligjshëm është bërë një çështje kryesore e fushatës zgjedhore për aleatin e Melonit, Matteo Salvini, i cili vizitoi përsëri ishullin Lampedusa, i cili është mbingarkuar vazhdimisht për shkak të ardhjeve të paligjshme të emigrantëve këtë vit.

Salvini premtoi të rinovojë dekretet e sigurisë që ai miratoi kur ishte ministër i Brendshëm në 2018 dhe 2019, të cilat çuan në uljen e madhe të numrit të ardhjeve të paligjshme të emigrantëve dhe gjithashtu pakësimin e numrit të vdekjeve nga mbytja në Detin Mesdhe.

“Emigracioni është një dukuri që mund të kontrollohet, të tjerët e kanë premtuar për njëzet vjet dhe unë e kam vërtetuar. Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore është e mundur, thjesht rifutni dekretet e sigurisë.” – tha Salvini duke shtuar: “Rifutja e dekreteve të sigurisë do të thotë të ktheheni për të mbrojtur Lampedusën, Pantelerinë, kufijtë italianë dhe kufijtë evropianë”.

Meloni është në marrëveshje me Salvinin për emigracionin e paligjshëm dhe gjithashtu dyshja dëshirojnë të zvogëlojnë në masë të madhe numrin e të ardhurve të rinj, sipas manifestit të partisë, i cili thekson lidhjen midis emigracionit dhe krimit në Itali, veçanërisht trafikut të drogës.

Sipas një raporti të vitit 2018, deri në një në tre krime kryhen nga të huajt dhe gati gjysma e rasteve të veprave të dhunshme seksuale u atribuohen migrantëve, sipas një raporti tjetër të vitit 2020.

Meloni ka bërë thirrje më parë për një bllokadë detare për të ndaluar kalimet e paligjshme të emigrantëve në Detin Mesdhe.

Vetëm pak javë para zgjedhjeve të përgjithshme të 25 shtatorit, partia e Melonit vazhdon të jetë më e popullarizuara në Itali në sondazhet e fundit dhe koalicioni i qendrës së djathtë i përbërë nga Fratelli d’Italia, Lega e Salvinit dhe Forza Italia e Silvio Berlusconit mbetet shumë përpara së majtës.