Vendosni fjalën kyçe....

Meta nxjerr dokumentet nga dosja e Sigurimit: Si u manipulua emri Ilir Murati me Ilir Metaj


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka publikuar sot pjesë nga një dokument original nga Autoriteti i Dosjeve.

Ky dokument sipas tij tregon falsifikimin që është bërë për ta akuzuar atë si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit.

Ai tregoi një deklaratë me shkrim dore të Filip Talos, i cili kishte tentuar të kalonte kufirin, që mbante datën 9 mars 1990 dhe që ishte konfirmuar si autentike nga Autoriteti i Dosjeve.

Në këtë deklaratë, Talo përmend emrin Ilir Murati si personi që ka folur për kalimin e kufirit.

“Në deklarimet autentike me shkrim dore të shtetasit F.T., të datës 9 Mars 1990, dhe që janë deklarime pjesë e dojes në ngarkim të këtij personi, ai shprehet qartë se ka komunikuar vetëm me dy persona për arratisjen e tij, I.M dhe A.Z, shokë fakulteti dhe konvikti me të.

Në deklaratën me shkrim dore të shtetasit F.T. në datë 9 Mars 1990, bërë përpara sigurimit të shtetit, nën presion, pasi i kishin vendosur përpara edhe denoncimin e I.M., edhe përgjimet me Teknikë Operative të bëra prej tij, rezulton se vetë F.T ka deklaruar se:

Personat e vetëm që ka biseduar për arratisje jashtë shtetit janë shokët e tij të konviktit I.M. dhe A. Z.; në asnjë rresht apo paragraf të kësaj deklarate autentike nuk përmendet asnjë Ilir Metaj (as Ilir Rexhep Metaj dhe as Ilir Mero Metaj);

  1. ii) Më konkretisht në një nga këto biseda, siç deklarohet në faqen 2 të deklaratës autentike me shkrim dore citohet se: ‘bisedat e tjera që bëja me I.M qoftë edhe me A.Z. lidhur me ushtarin që do të më ndihmonte, që do të më ndihmonte për t’u arratisur nga Saranda e të tjera, këto më shumë si biseda i bëja për t’i mbushur mendjen I.M dhe A.Z…”- tha Meta.

Më pas ish-presidenti Metaj tregon një dokument tjetër me makinë shkrimi ku nuk përmendet Ilir Murati por Ilir Metaj dhe që sipas tij është falsifikuar.

“Në faqen ‘3’ paragrafi ‘III’ të dokumentit të prodhuar nga Sigurimi i Shtetit, qartazi i manipuluar dhe fallsifikuar, citohet se: ‘Nga informacioni i T.O. dt. 2.3.1989 del se objekti F.T. i shprehet denoncuesit Ilir Metaj ndër të tjera se: Kur denoncuesi e pyet nëse ka biseduar me ushtarin e Sarandës, objekti thotë: ‘…unë e di që atëherë.. por ai nuk e di muhabetin fare për atë punë.. ai tha që të arratisemi, të ikim. Po ka besë ai….”.- shtoi ai.

Meta ka treguar se çfarë ka kërkuar nga organet e drejtësisë në padinë e tij ngritur ndaj organeve të drejtësisë.

“Ajo çfarë i kam kërkuar organeve të drejtësisë është hetimi i plotë, objektiv, dhe mbi të gjitha i PAVARUR, dhe brenda një afati sa më të shpejtë i të gjitha veprave penale të konsumuara nga anëtarët e AIDSSH-së, që në shpërdorim të pastër të funksionit publik, janë kthyer në vegla të verbra për të stisur dhe ekzekutuar një sulm politik të shëmtuar, me pasoja të rënda për besimin e publikut në institucionet shtetërore dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

Dhe si përfundim, i kam kërkuar drejtësisë:

1)            Regjistrimin e Procedimit Penal në ngarkim të të kallëzuarve:

2)            Regjistrimin e emrit të të kallëzuarve në regjistrin e njoftimeve të veprave penale;

3)            Marrjen e masës së sigurimit, pezullimin e ushtrimit të detyrës për të kallëzuarit.”- tha Meta.