Vendosni fjalën kyçe....

Nis sot zbatimi i reciprocitetit për letërnjoftimet, Kurti: Targat që duhet të konvertohen përbëjnë rreth 2 %


Nga 1 shtatori, Serbia për herë të parë pas 11 vjetësh nuk do të lëshojë dokumente hyrje/daljeje për qytetarët e Kosovës, por do të lejojë që të përdorin letërnjoftimet e tyre. Njësoj do të veprojë edhe Kosova për shtetasit e Serbisë sipas marrëveshjes së 27 gushtit, pas ndërmjetësimit të diplomatëve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, shkruan se nga sot e deri më 31 tetor, për gjithsej 61 ditë në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do ta zhvillojmë procesin e konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

“Nga sot e deri më 31 tetor, për gjithsej 61 ditë në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do ta zhvillojmë procesin e konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës. Në Kosovë janë gjithsej 401.945 vetura me targa RKS.

Prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2% të tyre.

Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro.”- shkruan Kurti.