Kryetari i gjigantit rus të naftës Lukoil, Ravil Maganov, ka ndërruar jetë pasi thuhet se ka rënë nga dritarja e një spitali në Moskë.
Siç shkruan BBC, kompania e konfirmoi vdekjen e tij por nuk e përmendi incidentin e spitalit. Përkundrazi shkroi se Maganov, 67 vjeç, “ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë”.
Megjithatë mediat ruse raportojnë se Maganov po trajtohej në Spitalin Klinik Qendror të Moskës dhe vdiq nga plagët e marra pas rrëzimit.
Maganov është i fundit nga një numër drejtuesish biznesi të profilit të lartë që vdes në rrethana misterioze.
Autoritetet hetuese thanë se po punonin në vendngjarje për të përcaktuar se si ai vdiq. Agjencia e lajmeve Tass citoi burime që thanë se ai kishte rënë nga dritarja e katit të gjashtë, duke shtuar më vonë se ai kishte vrarë veten.
Menjëherë pasi Rusia pushtoi Ukrainën, bordi i Lukoil bëri thirrje që konflikti të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, duke shprehur simpatinë e tij për viktimat e “kësaj tragjedie”.
Presidenti i saj miliarder, Vagit Alekperov, dha dorëheqjen në prill pasi Britania e Madhe vendosi sanksionet ndaj Moskës.
Disa oligarkë rusë të energjisë kanë vdekur në rrethana të pazakonta muajt e fundit:
- Trupi i ish-menaxherit të milionerit Novatek Sergei Protosenya u gjet së bashku me gruan dhe vajzën e tij në një vilë spanjolle në prill.
- Një ish-zëvendës president i Gazprombank, Vladislav Avayev, u gjet i vdekur me gruan dhe vajzën e tij në banesën e tyre në Moskë, gjithashtu në prill.
- Në maj, një ish-manjat i Lukoil, Alexander Subbotin, vdiq nga problemet me zemrën, pasi kërkoi trajtim alternativ nga një shaman.
Lukoil është kompania më e madhe private ruse. Në deklaratën e saj kompania tha se ishte për shkak të talentit menaxherial të Maganov që ishte evoluar në një nga firmat më të mëdha të energjisë në botë. Ravil Maganov filloi të punojë në kompaninë private të naftës në vitin 1993 dhe mori detyrën e kryetarit vetëm dy vjet më parë.