Shefi i organizimit në PD Klevis Balliu ka dënuar sulmin e IMT-së ndaj biznesit të pronarit të News24.
Ai shkruan se kjo vjen pas denoncimeve nga media në fjalë të vjedhjeve masive në administratën publike e pazareve me punësimt e paligjshme e nepotike, regjimi i Edi Ramës i bën presion të drejtpërdrejtë pronarit të medias.
Balliu shkruan se Edi Rama ka qenë te ‘Prestige Resort’ për takime të ndryshme madje ka pritur aty edhe afganët e larguar nga vendi dhe se sulmi ndaj biznesit në fjalë është kërcënim ndaj çdo medieje të lirë.
Ai bën thirrje që qytetarët të bashkohen për të shkallmuar atë që ai e quan regjim kriminal që vjedh shqiptarët e shkatërron këdo që denoncon vjedhjet e pushtetit.
“Pas denoncimeve nga News 24 për vjedhjet masive në administratën publike dhe pazaret me punësime të paligjshme dhe nepotike, regjimi bën presion direkt ndaj pronarit të medias duke sulmuar bizneset e tij. Më konkretisht aty ku u mirëpriten afganët e famshëm, Edi Rama sot çon rruspat e Dallandyshes.
Në fakt Dallandyshja u afirmua në këtë pozicion si njeriu dhe zëri i Shullazit në këtë institucion. Por nuk duhet të harrojmë edhe faktin kur Rama shëtiste tek Prestige Resort dhe e vleresonte si biznes, a nuk kishte probleme në atë kohë Prestige? E vërteta është se Prestige Resort nuk ka asnjë problem, por ky është sulm i pushtetit.
Ky nuk është sulm ndaj Irfan Hysenbelliut por është një mesazh i pastër dhe kërcënues ndaj çdo medie të lirë. Nëse sulmon regjimin e Edvinit të grabisin biznesin dhe shtëpinë, të marrin pronën dhe madje dhe jetën. Është e nevojshme të bashkohemi të gjithë për të shkallmuar këtë regjim kriminal që vjedh shqiptarët dhe shkatërron këdo që denoncon vjedhjet e pushtetit ndaj qytetarëve.” – shkruan Balliu.