Vendosni fjalën kyçe....

BBC dhuron për bamirësi 1.4 milionë paund të fituara nga shitja e intervistës së vitit 1995 me Princeshën e Uellsit


BBC ka dhënë për bamirësi 1.42 milionë paund e fituara nga shitjet e intervistës së vitit 1995 me Princeshën Diana.

Intervista iu nënshtrua një hetimi që zbuloi se gazetari Martin Bashir përdori dokumente të rreme për të fituar akses tek Princesha e Uellsit.

BBC thotë se i ndau fondet në mënyrë të barabartë midis shtatë organizatave bamirëse të lidhura me të ndjerën dhe theksoi se kjo ishte “rruga e duhur dhe e përshtatshme e veprimit”.

Në njoftimin e BBC-së theksohet se donacionet vijnë nga të ardhurat tregtare dhe jo nga tarifa e licencës.

Fondet i janë dhënë organizatave: Centrepoint, Baletit Kombëtar anglez, Great Ormond Street Hospital’s Charity Children’s Charity (GOSH), Misioni Leprosy, National Aids Trust, Royal Marsden Cancer Charity dhe The Diana Award.

Gjashtë organizatat e para bamirëse të listuara janë ato me të cilat princesha mbeti e përfshirë në kohën e vdekjes së saj dhe çmimi ‘Diana’ u krijua në kujtim të saj.

Transmetuesi britanik tha: “BBC kishte treguar qëllimin për të dhuruar për bamirësi të ardhurat e shitjeve të nxjerra nga intervista e Panorama-s e vitit 1995 me Dianën, Princeshën e Uellsit. BBC-ja e ka bërë tani këtë. Duke pasur parasysh gjetjet e Lord Dyson, ne mendojmë se kjo është mënyra e duhur dhe e përshtatshme e veprimit.”

Intervista e ndjekur nga më shumë se 22 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar në atë kohë, u përshkrua si një “bombë” që shkatërroi imazhin e një familjeje mbretërore “të kënaqur, të kujdesshme dhe të bashkuar”. BBC ka kërkuar më parë falje pasi një raport vitin e kaluar zbuloi se Bashir kishte vepruar në “mënyrë mashtruese” për të marrë intervistën.

Këtë të mërkurë është shënuar 25 vjetori i vdekjes së Dianës në një aksident automobilistik në tunelin Pont de l’Alma në Paris.