Vendosni fjalën kyçe....

“Dosje boshe, rroba, dhurata, copa gazetash” – Gjykata publikon inventarin e materialeve të sekuestruara në rezidencën e Donald Trumpit


Një gjykatë amerikane ka publikuar një inventar të detajuar të materialit të sekuestruar nga FBI në rezidencën e ish-presidentit Donald Trump në Florida muajin e kaluar.

Sipas dosjes, agjentët morën 33 kuti dokumentesh, brenda të cilave ishin dhjetëra dosje boshe por të shënuara si të klasifikuara.

Po ashtu thuhet se edhe disa dokumente të shënuara sekrete janë gjetur në zyrën e Trumpit.

Siç shkruan CNN, vendimi për publikimin e inventarit u mor nga gjykatësja e qarkut amerikan Aileen Cannon. Inventari ishte paraqitur në gjykatë nga Departamenti i Drejtësisë.

Inventari i kërkimit tregoi se dokumentet e klasifikuara ishin përzier me sende personale dhe materiale të tjera në kutitë brenda të cilave ishin ruajtur.

Hetuesit federalë morën gjithashtu më shumë se 11 mijë dokumente qeveritare jo të klasifikuara.

Një kuti që përmbante dokumente të shënuara me identifikime të klasifikimit konfidencial, sekret dhe top sekret përmbante gjithashtu “99 revista/gazeta/artikuj shtypi”.

Disa kuti të tjera të detajuara në inventar përmbanin dokumente të shënuara si të klasifikuara të ruajtura me copëza gazetash, si dhe me artikuj veshjesh dhe dhuratash.

Dokumenti gjyqësor parashikonte gjithashtu një ndarje të llojit të shenjave në materialin e klasifikuar të marrë nga Mar-a-Lago:

-18 dokumente të shënuara top-sekret,

-54 dokumente të shënuara sekrete,

– dhe 31 dokumente të shënuara konfidenciale.

Përveç kësaj, hetuesit federalë mblodhën më shumë se 48 dosje boshe me një “banderolë të klasifikuar” dhe 42 dosje boshe të shënuara për t’u kthyer tek sekretari i stafit ose ndihmësi ushtarak.