Vendosni fjalën kyçe....

E quajti “kërcënim” për SHBA-në, Trump i përgjigjet Bidenit: Ose është i çmendur, ose vuan nga demenca


Donald Trump ka akuzuar sot presidentin aktual të SHBA-ve Joe Biden se vuan nga demenca.

Kjo pasi presidenti e quajti atë dhe mbështetësit e tij si një “kërcënim” për demokracinë.

Në një fjalim të mbajtur në Filadelfia të enjten, siç shkruan WT Biden tha se zgjedhjet e ardhshme afatmesme janë një betejë për “shpirtin e Amerikës” dhe se Trump dhe lëvizja “Ta bëjmë Amerikën të Madhe” (MAGA), përsëri janë një kërcënim për shtetin ligjor, pozitën globale dhe të drejtat civile.

Por Trump nuk ishte i lumtur pas këtyre komenteve. Ai reagoi përmes një postimi në platformën e tij online Truth Social.

“Dikush duhet t’i shpjegojë Joe Biden-it, ngadalë por me pasion, se MAGA do të thotë, aq fuqishëm sa fjalët mund të jenë të thjeshta, BËJE AMERIKËN TË MADHE Sërish! Nëse ai nuk dëshiron ta bëjë Amerikën përsëri të madhe, gjë që me fjalë, veprime dhe mendime nuk e bën, atëherë ai me siguri nuk duhet të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”- shkroi Trump.

Në një tjetër postim Trump tha se “Nëse shikoni fjalët dhe kuptimin e fjalimit të sikletshëm dhe të zemëruar të Bidenit sonte, ai kërcënoi Amerikën, duke përfshirë përdorimin e mundshëm të forcës ushtarake”.

Në fund shton: “Ai duhet të jetë i çmendur, ose vuan nga demenca në fazën e fundit!”

Kjo deklaratë vjen pasi Biden të enjten në Filadelfia akuzoi mbështetësit e Trumpit për mbështetje të “gjysmë-fashizmit”. Ai këmbënguli se “Trump dhe republikanët e MAGA-s përfaqësojnë një ekstremizëm që kërcënon vetë themelet e republikës.”